Parimi i Ramës: “Kush shpif, anëtar kryesie”
Deputetët Gaçi, Shalësi, Felaj e Tahiri janë pajisur prej gjykatës së Tiranës me çertifikatën e shpifësit, prandaj edhe kanë nisur të shpërblehen prej Edi Ramës, një muaj përpara kongresit të 5 nëntorit. Tahiri ka marrë degën e Tiranës si dhe FRESSH-in, ndërkohë që tre të tjerët janë garantuar si anëtarë të kryesisë së re. Me listën e deputetëve-shpifësa që janë thirrur në dyert e gjykatës, pothuajse po mbyllet lista e re e anëtarëve të kryesisë socialiste, strukturës që po ngrihet sipas parimeve private të Edvinit për versionin modern të kamikazit politik
Pallavrat e djeshme politike të kryetarit socialist për superprogramin që do të paraqesë në kongresin e 5 nëntorit të kujtojnë gënjeshtrën e frikshme të 1000 faqeve program para zgjedhjeve të 2009-s, të cilat në fakt nuk ekzistonin dhe këtë e ka konfirmuar edhe vetë Rexhep Meidani, i cili me naivitet ishte thirrur për ta prezantuar. Të njëjtat gënjeshtra u përsëritën dje, me njoftime për program, por pa theksuar qëndrimet që do të mbahen ndaj objektivave të tillë të rëndësishëm për vendin si integrimi në BE apo modeli ekonomik që duhet të ndjekë vendi në kulmin e krizës ekonomike. Sepse në fund të fundit, Edi Rama s’është në krye të PS-së për të ndërtuar një alternativë qeverisëse, por për të koracuar një strukturë politike si strukturë private, e cila do t’i duhet në ditët kur fatbardhësia politike s’do t’i buzëqeshë.
E në këtë parim, rritja në përgjegjësi e Saimir Tahirit, apo rolet e rëndësishme partiake që pritet të marrin Eduard Shalësi, Ermonela Felaj, Artan Gaçi e ndonjë tjetër (Xhaçka e Gjermeni, të parat në listë), janë tregues se parimi politik që do të ndiqet në kongresin e 5 nëntorit nuk janë kontributet politike e as aftësitë organizative, por gatishmëria për të shpifur ndaj kundërshtarëve politikë. Qysh tani, Saimir Tahiri ka vënë nën këmbë degën socialiste të Tiranës si dhe Forumin Rinor, ndërkohë që Olta Xhaçkës i është paracaktuar Forumi i Gruas, paçka se ajo ka ambicie goxha më mashkullore për karrierën e saj politike. Edhe Artan Gaçit tashmë i rri shkurt roli i tregtarit të Edi Ramës, dhe kërkon të bëhet edhe politikani pranë Ramës. Të mos flasim pastaj për “xholin” Eduard Shalësi, i cili ka shprehur gatishmërinë për çfarëdolloj posti të lartë që mund t’i vijë ndoresh Edi Ramës, duke nisur me atë të presidentit e për të përfunduar tek funksioni i xhelatit partiak (kryetarit të Asamblesë dmth). Po i numërojmë këto 4 emra, sepse gjykata e Tiranës, me vendime formale i ka gjobitur për shpifje të kryera publikisht ndaj kolegëve të tyre të mazhorancës. Janë certifikuar si shpifësa pra... Por këto certifikata janë si rekomandime karrierë për strukturën e re partiake që po pjell mendja e trazuar e Edi Ramës. Gatishmëria e tyre për të shpifur e për të marrë përsipër turpërimin faqe botës është një tregues fort i besueshëm i levantinizmit që po ndërton Partinë e re Socialiste. S’ka më vend në PS për politikanë nursëzë si Gramoz Ruçi, të cilët sado bolshevikë të jenë, e kanë të vështirë të shqiptojnë palavitë që Edi Rama shpërndan tek deputetët, pas korrektimeve që u bëhen prej Endri Fugës apo Erion Velisë (këta dy emra janë shpirti i partisë, të cilin e kanë fituar me sprova të tjera, ku e ku më të dhimbshme sesa turpërimi publik me shpifje). Edhe Arta Dade e ka të vështirë të shqiptojë disa gjëra, edhe Ermelinda Meksi, bile edhe Pandeli Majko. Për këta emra të politikës tradicionale si dhe për disidentët tashmë të shpallur të kryetarit Rama, të cilët në mediat pranë tij po trajtohen pothuajse si armiq, s’ka më vend në kryesinë e re të partisë. Promovimi paraprak i 4 deputetëve që janë certifikuar prej gjykatës si shpifësa profesionistë, është tregues se parimi i Ramës është “kush shpif bëhet anëtar kryesie”. Ky është programi politik i një strukture private, që më shumë sesa forcë politike e përgjegjshme, po shndërrohet në një strukturë lobingu okulte për interesat personale të kryetarit. S’është e qartë nëse gjatë kësaj kohe do të nisë një garë se kush e kush të sigurojë një çertifikatë shpifësi pranë Gjykatës së Tiranës, por droja është se edhe nëse e marrin këtë çertifikatë, disa syresh, të etiketuar si të vjetër dhe si shumë partiakë prej dyshes shpirtërore Endri Fuga – Erion Veliaj s’do ta shohin më poltronën e anëtarit të kryesisë, tradicionalisht vendi prej nga prodhohen deputetët e nesërm (dhe eventualisht ministrat). Ai është një pazar tjetër dhe provimi tashmë është kryer dhe në mjedise të ngushta po qarkullon edhe lista e re e anëtarëve të kryesisë, e gjitha e koracuar me certifikatat e shpifjes, një version modern i kamikazit politik.
I.N