Luk Kaçaj, Nderi i Kombit
"Në diktaturë armiku i kombit, në demokraci Nderi i Kombit". Kështu do të shprehej Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke i akorduar Urdhrin e Lartë "Nderi i Kombit", Luk Kaçajt pas vdekjes. Ky akt ofroi një tjetër dëshmi se absurdi i ndalimit të ideve, të librave, të zërit si forma më humane e fjalës, e humbet betejën me kohën. Në Akademinë e Arteve, pikërisht aty ku me një pallto mbi supe dhe pranga në duar Luk Kaçaj nisej drejt rrugës së mundimeve që diktatura me bashkëpunëtorët e saj në art i kishte lënë si shteg të vetëm, pikërisht aty, më 23 shkurt Presidenti i Republikës risjell në arealin kulturor, Luk Kaçajn, tashmë "Nderi i Kombit". Mbrëmja përkujtimore në sallën e Akademisë së Arteve kushtuar Basit të famshëm e të pafat edhe më profanit në çështje historish shqiptare i bënte me dije se Luk Kaçaj ishte një prej atyre shpërthimeve të ndritshme që një komb nxjerr herë pas here nga thelbi i gjenisë së tij, pavarësisht kushteve të kohës dhe regjimeve. Dhuntitë prej këngëtari të madh shënuan një stad sipëror të artit shqiptar dhe atij botëror; zëri i tij ishte dhe mbeti vlerë e vyer e pasurisë sonë kulturore. Do të mjaftonin këto merita për t‘i kushtuar atij të gjitha nderet që i takojnë një artisti klasi. Nderimi që i bëri Presidenti Topi, kolegët, studentët, bashkëvuajtësit, miqtë e tij të shumtë Luk Kaçajt përfshinin edhe çmimin e rëndë që ky artist i pagoi për së gjalli diktaturës komuniste. Madje, ky është edhe aspekti që e prek në mënyrë të veçantë. Jeta e stuhishme e artistit ka njohur shkëlqimin e pamort të artit të madh, nga njëra anë, dhe dhunën e qelive e të privime të panumërta politike, nga ana tjetër. Kështu ai u bë njëri prej ilustrimeve më tipike të faktit se diktatura nuk e duron gjithë çfarë është e lartë, e bukur, e jashtëzakonshme dhe hyjnore: ajo nuk mund të bashkëjetojë me të, sepse lartësia është liri. Në këtë mospërputhje, ose me saktë armiqësi me njerëzit e lirë dhe të mëdhenjtë, diktatura përgatit izolimin, rrëzimin dhe zhdukjen e tyre. Kështu ndodhi edhe me Luk Kaçajn. Në fjalën e tij, Presidenti Topi bëri një analizë të atyre kontrasteve që kanë ndodhur në dialektikën politike dhe shoqërore shqiptare, duke vënë theksin te fakti se diktatura ia mori skenës për t‘ua hedhur qelive; mëtoi t‘ia merrte artit për t‘ia kaluar harresës, sepse gjyqe, persekutime, ndalesa si ato të Luk Kaçajt kishin simbolikë më të gjerë se e zakonshmja. Ato godisnin dhe donin të nxirrnin nga historia gjithë sa përfaqësonin njerëz të tillë, duke goditur artin e madh si të papajtueshëm me mediokritetin gri të diktaturave, krahinën nga vinte ai, një zonë e shquar për rezistencën antikomuniste. Luk Kaçaj përfaqësonte shumë, e për këtë duhej anatemuar një shkollë e tërë - shkolla françeskane - me traditën e saj atdhetare e intelektuale, si edhe mësuesit e saj me në krye Fishtën, nxënës i të cilit edhe Luka, At Zef Pllumi, Lin Delija e shumë të tjerë që bartnin tharmin njerëzor e intelektual të një Shqipërie tjetër.
Nga largësia e viteve dhe nga një realitet politik krejt tjetër ne shohim sot rezultatin e kësaj përballjeje: Luk Kaçaj fitoi. Si fitimtar i tillë, ai është një emër dhe një fat - pa dyshim aspak i vetmi - që cyt ndërgjegjen tonë të kërkojë falje për të gjithë të persekutuarit dhe martirët e Lirisë. Të gjithë të pranishmit në atë sallë e dinin që Luk Kaçaj nuk ishte politikan, por kishte një zë madhështor, nga ata zëra për të cilët diktaturat janë xheloze, sepse duan që të dëgjohet vetëm zëri i tyre në mënyrë që vendet të shndërrohen në skena eksperimentimi të marrëzisë së tyre. Vetë diktatorët janë xhelozë, sepse duan të dëgjohet veç zëri dhe kumti i tyre totalitar.
Jeta e Luk Kaçajt dhe e shumë shqiptarëve që sot me të drejtë shihen si elita e qëndresës, na mëson një të vërtetë të madhe pa të cilën do ta kemi të vështirë të kuptojmë se ç‘ndodhi në një kohë kur njeriu shqiptar u gjend përballë sfidash të ashpra, ku ndonjë u thye, ku të tjerë u shndërruan në qenie pa të drejta ose ndokush u konvertua në instrument ideologjik të regjimit. Kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se ku ishte burgu, aty ishte atdheu. Prova të tilla krijojnë hierarkinë morale të vlerave të pakontestueshme: vlera që shndërrohen në frymë lëvizëse të shoqërisë. Historia e Luk Kaçajt është një lakmus për shumëkënd, një ftesë të cilës nuk i shmangemi dot për të shmangur harresën, e cila ka rënë si tis që po mjegullon të vërtetat. I shërben një akt i tillë moralit të një shteti demokratik, siç i shërben panteonit të kulturës kombëtare, historisë së artit dhe rindërtimit të sistemit kulturor në tërësinë e tij, i cili pa Luk Kaçajn ishte i mangët.
Luk Kaçajt është rast që na bën të reflektojmë se sa e kujdesshme duhet të jetë një shoqëri dhe institucionet e saj me zërin dhe fjalën: se ç‘vlera i jep kombit liria e zërit të bukur, si forma më sublime e fjalës. Mesazhi i Presidentit Topi nëpërmjet dekoratës së lartë dhënë një personaliteti të muzikës, i burgosur, sepse zëri i tij ishte liri, na nxit të mendojmë që zëri i bukur, fjala që i jep kuptim atij, janë një standard demokratik permanent për të cilin Shqipëria ka vuajtur mjaft, për të cilin është përpjekur mjaft, e që për ta konsoliduar duhet të jetë po aq e kujdesshme. Është mendim i shumë artistëve se pa burgun dhe privimet e tjera Luk Kaçaj do të na kishte lënë trashëgiminë e një gjeniu të realizuar: "sepse ai i kishte shanset që të bëhej një nga këngëtarët më të mëdhenj të Evropës". Por edhe me aq sa na la si artist, kombi ynë mund të ndihet krenar që e ka pasur dhe e ka. Luk Kaçaj ishte njeri krenar, intelektual i llojit të veçantë, një martir dhe "Nderi i Kombit", në këtë rast është një urdhër që u shkon të gjithë atyre që mbetën njerëz, madje që vdiqën njerëz, në atë kohë të vështirë kur njeriu konsiderohej "kafshë pune", siç e ka thënë Frati i dëshmive historike, At Zef Pllumi. Përpjekja për të mbetur njeri nuk ezaurohet asnjëherë. Ajo i merr valencat nga sistemet politike, nga rrethanat, nga qëllimet që ka, nga standardet e lirisë dhe moralitetit që individi kërkon për veten, për shoqërinë dhe vendin e tij. Le të na nxisë edhe shembulli i Luk Kaçajt për një kërkim të tillë!