E Diel, 1 Nëntor 2026

Bjordi: Ime më, më burrë se burrat. Aida: Dashuritë e mia

Kur mbetet vetëm një ditë nga vendimi se kush do të largohet prej shtëpisë së "Big Brother", banorët kërkojnë të kuptojnë më shumë, të sheshojnë mosmarrëveshje, apo edhe të tregojnë detaje të pazbuluara deri më tani të jetës së tyre. Aida ka folur për lidhjet e saj, për puthjen e parë, por edhe pasionet e tjera. Ka tentuar që t‘i ulë tonet me Adelajdën, por ka kundërshtuar turnet e provës së javës, edhe pse asaj po i vjen fundi.

"Lista e turneve"

Aida kërkon që të ndërrojë turnin, meqë ajo dhe Adi janë gati. Ajo e hedh këtë mendim për diskutim, por Adi i thotë se kjo nuk është e drejtë dhe se Vëllai i Madh kërkon seriozitet në këtë detyrë. Aida i thotë se veç do të ndërrojë turnin dhe jo vendin. Sori që ndodhet me ta në kopsht ndërhyn në këtë bisedë, pasi është ai që ka hartuar listën. Midis tyre fillon një debat, sepse nuk është hera e parë që Aida e kërkon këtë gjë. Sori i ndjerë keq i thotë që herë tjetër ta bëjë ajo listën, meqë për të nuk është bërë mirë. Aida i thotë se kur ai e ka bërë listën, kombinimet janë bërë të rastësishme. Sori këmbëngul me idenë e tij që këtë punë ta vazhdojë Aida, sepse, sipas tij, ajo veç këtë bisedë di të bëjë. Ajo justifikohet duke i thënë Sorit se asnjëherë nuk e kishin lënë ta çojë mendimin deri në fund, kur është diskutuar më parë dhe se Sori po e merr këtë bisedë si një sulm dhe e mbyll pa bërë komente të tjera, por me qejfmbetje.

"Debat te tenda"

Burrë e grua

Bjordi ka pak kohë që është gati dhe po pret që të vijë edhe Moza për të filluar turnin e tyre. Ai shkëmben batuta me Dritanin për vonesën e Mozës dhe në momentin që ajo vjen, ai fillon t‘i japë urdhra si "gruas" se vet. Ai, madje, i propozon asaj që të krehë Sonjën, pasi për veten e saj kujdeset e rri gjithë ditën para pasqyrës dhe një minutë kohë për lopët nuk do t‘i kushtonte gjë. Moza i thotë se tani nuk janë më çift dhe se janë ndarë. Bjordi nuk e dinte këtë dhe i thotë se pse nuk ia kishte thënë më parë. Aida, Adi dhe Dritani fillojnë të ngacmojnë çiftin, kurse Bjordi nuk rresht së dhëni "urdhra" Mozës. Duke parë që kështu nuk po jep rezultat, Bjordi i kërkon ndihmë Dritanit se si të sillet me gruan e tij dhe mënyrën që përdorin burrat shqiptarë. Dritani i thotë se duhet të sillet me edukatë, por Moza sërish nuk e dëgjon Bjordin. Bjordi pyet Dritanin se kur vjen momenti që duhet ta rrahë gruan që ajo ta dëgjojë dhe Aida i thotë se ky është momenti i duhur. "Kjo s‘ka frikë fare", thotë Bjordi, kurse Aida i thotë atij të ketë kujdes se mos përfundon i rrahur ai. Bjordi i dorëzuar shkon të ndezë cigare.

"Do ta nominoj që të gjallërohet"

Arjoni pyet Aidën pse Bjordi është katandisur kaq keq dhe pse e ka lënë veten kaq shumë pas dore. Aida ia kthen se ndoshta ka rënë në dashuri, ose nuk ka stimul brenda në shtëpi dhe se ndoshta nuk e ka gjetur akoma veten. Arjoni tregon se Bjordi më parë ka qenë shumë i kujdesshëm për pamjen dhe veshjen, kurse tani rri i veshur veç me pantallona të shkurtra e një bluzë sportive që i jep pamjen e një barboni. Aida vazhdon të shkëmbejë batuta me Bjordin. Ajo i thotë se do ta nxjerrë në nominim këtë javë që të gjallërohet pak se ka rënë në qetësi. Bjordi, nga ana e tij, i thotë se nuk është nevoja dhe se kur bëjnë shaka, bëjnë shaka dhe nëse do të jetë në nominim, edhe sikur kot, do ta sulmojnë edhe ata që e duan.

Lojë, apo e vërtetë?

Veprimi i Agonit me Adelën ka lënë shumë për të komentuar te banorët. Aida dhe Adi flasin për këtë veprim duke dhënë secili mendimin e vet se si e shikon të drejtë. Aidës, Agoni i duket i mërzitur me Adelën, sepse ajo nuk ia vlerësoi mendimin. Megjithatë Aida nuk është plotësisht dakord me veprimin e tij dhe i duket sikur është thjesht një lojë. Edhe Adi mendon se është një lojë, por nëse e bën dy herë ose më shumë, ka diçka dhe se asnjë nuk e di këtë gjë. "Adela i merr seriozisht, nuk është për të bërë shaka me të", tha Adi. Aidës i duket veprim i gabuar. Ajo thotë se e gjykon Agonin si person që bën lojë, por nuk duhet ta bëjë në kurriz të tjetrit.

Pasionet e banorëve

Banorët flasin për pasionet e tyre. Arjonit i pëlqen basketbolli, snowboard dhe përveç këtyre i pëlqejnë më tepër femrat, por thotë me shaka që edhe Zhuljetës i pëlqejnë femrat. Zhuljeta nuk reagoi nga kjo që tha Arjoni, por filloi të tregojë hobet e saj që janë gjuetia, noti dhe udhëtimet. Dhe Aidës i pëlqejnë noti dhe udhëtimet. Mozës i pëlqen më tepër muzika dhe dizajni, kurse Bjordit kinemaja, fotografia dhe interneti. Kur Bika tregoi hobet e saj që janë muzika dhe futbolli, djemtë e pyetën se me cilën skuadër ishte. Ajo tha se bënte tifozllëk për Interin, madje vë ndonjëherë baste.

Çifti VIP

Bjordi dhe Moza quhen nga të gjithë banorët si çifti i shtëpisë, por edhe ata nuk e kanë problem këtë përcaktim. Ata janë duke luajtur para pasqyrës e duke e quajtur veten VIP-a. Në sallon janë edhe banorët e tjerë dhe Bjordi u kërkon atyre që t‘i duartrokasin e të sillen si fansat e tyre. Banorët fillojnë të brohorasin dhe t‘i gjuajnë me jastëk. Bjordi u kërkon atyre që të thërrasin "puthje, puthje" dhe i kërkon edhe Mozës që ta puthë përpara "paparacëve". Moza e refuzon dhe e shtyn, kurse Bjordi i thotë se janë veç çift për biznes. Banorët fillojnë t‘i kërkojnë Mozës autografe e të qeshin me ta.

Aida tregon për jetën e saj

Ajo thotë se ka pasur katër lidhje, por tri kanë qenë më të rëndësishmet. Bjordi e pyet se kur e ka dhënë puthjen e parë dhe ajo thotë në moshën 16-vjeçare, ndërsa Qetësori e pyet se çfarë ka dashur të bëhet kur ka qenë e vogël dhe ajo i përgjigjet se "kam dashur të bëhem këngëtare, ose stiliste". Pyetja tjetër ishte nga Pavlini, i cili i thotë nëse të pëlqejnë pub-et, apo diskotekat dhe Aida thotë se i pëlqen të shkojë në pub dhe pija e preferuar është vera. Pas disa pyetjesh nga banorët, Aida thotë se mashkulli ideal është ai që do të dijë ta dojë dhe ta respektojë.

"Bëj si e fortë, që të mbrohem!"

Adelajda i ka thënë Aidës se gjëja për të cilën i ka ardhur më tepër keq ishte përgjigjja që ajo i kishte dhënë Arbanës, kur kjo e fundit e kishte pyetur se çfarë do të kishte qenë ndryshe nëse do të kishin qenë jashtë shtëpisë së "Big Brother". Aida i është përgjigjur se nuk do të ishte lodhur aq shumë me Adelajdën. Sipas saj, kjo ishte një përgjigje ulëse, zhvlerësuese e "pa pikën e konsideratës". "Që nga ai moment - i tha Adela, Aidës - fillova të mendoja ndryshe!" Aida i ka thënë se kur je jashtë, ke mundësi zgjedhjeje dhe nëse nuk të pëlqen diçka apo dikush, nuk lodhesh duke kërkuar anët pozitive, thjesht ikën. Edhe Aida i ka shprehur pakënaqësinë që Adela, sipas saj, "arsyes së lotëve i kishte vënë emrin Aida", por Adelajda ka mohuar ta kishte bërë diçka të tillë. Aida ka vazhduar duke i thënë se ato mund të sqaroheshin edhe jashtë, kur të dilnin nga shtëpia, nëse edhe ajo do ta donte këtë, por gjithsesi Adelajda duhet të kuptonte se "e forta" ishte fasada e Aidës për t‘u mbrojtur në përballjen me të panjohurit. Ishte metoda e saj për t‘u dukur se është e vrazhdë, se nuk preket lehtë. "Po të mos kisha fasadën e së fortës, mua do të më kishin vënë përfund!" - ka thënë ajo. Adelajda e ka kundërshtuar duke i thënë se ajo e merrte parasysh jetën e Aidës, por sipas saj, ajo dinte të shprehej vrazhdë, por dinte të shprehej edhe ëmbël. Aida ka vazhduar, duke thënë se nuk ishte person negativ, se mund të ishte e vrazhdë, por jo negative, ama nuk kishte pasur ç‘përgjigje të jepte tjetër, kur kishte marrë vesh se Adelajda kishte qarë.

"E urrej dhunën në familje!"

Kështu i ka thënë Pavlini, Dritanit teksa diskutonin për konceptin e familjes dhe marrëdhënien e tij me ish-bashkëshorten. Sipas Pavlinit, kjo e fundit po ushtronte dhunë psikologjike ndaj tij, duke përdorur si mjet fëmijën e tyre. Ai ka shtuar se i urren të gjitha format e dhunës, jo vetëm atë fizike. Kjo, sepse, sipas tij, ai është rritur me një frymë të tillë. Dritani i është përgjigjur se, sidoqoftë, ai duhet të merrte parasysh edhe moshën e saj të re.

"Në mars kam ditëlindjen!"

Duke shijuar diellin e mëngjesit në oborrin e shtëpisë, Bjordi i ka thënë Adit dhe Dritanit se në mars kishte ditëlindjen dhe mbushte 21 vjeç. Adi ka bërë shaka duke thënë se duhet ta ftonin edhe Tean (lopën) dhe Bjordi ia ka kthyer se nëse ishte shoqja e tij, mund ta ftonte. "Duroni, mos më nxirrni dhe për një javë" - ka thënë ai.

Bjordi tregon për të ëmën!

I pyetur nga Arjoni, Bjordi tregon se përpara se të largoheshin nga Shqipëria, e ëma e tij kishte pasur probleme me shtetin, "me diktaturën", pavarësisht se ai nuk e dinte saktësisht se çfarë. Më pas, kur kishin shkuar në Itali ajo e kishte nisur gjithçka nga zero, duke punuar e sakrifikuar shumë. Më në fund, ajo kishte arritur të hapte një bar. Rreth 1994-ës ata kishin fituar të drejtën për t‘u pajisur me pasaportë italiane, por ajo kishte refuzuar. Tani kishte arritur nivele shumë të larta dhe shoqërinë e kishte po ashtu të pozitave më të larta. "Mamaja ime është më burrë sesa shumë burra që njoh!" - është shprehur Bjordi referuar zotësisë së të ëmës. Arjoni, duke shprehur vlerësimin e tij, e ka pyetur nëse është e lidhur dhe e bukur e ëma e tij. Bjordi ka mohuar për sa i përkiste lidhjes së të ëmës dhe ka pohuar për sa i përkiste bukurisë së saj, duke i treguar Arjonit se ajo ishte bionde, me sy bojëqielli. "Nuk e di pse e imagjinoja pikërisht kështu!" - është shprehur Arjoni.

"Ku e pe inteligjencën e Tanit?!"

Republika, Aida dhe Adelajda kanë diskutuar në lidhje me Dritanin, duke marrë shkas nga një ëndërr e Bikes. Adelajda ka thënë për Dritanin se nuk beson se ai mund të dalë shpejt nga shtëpia, sepse mendon se ai është më i pëlqyer sesa Aida, Republika, apo dhe ajo vetë. Ajo ka thënë se e thotë këtë duke e vënë veten në vendin e publikut. "Kur thua publik, - i ka thënë Aida, - janë mendimet dhe dëshirat e tua!" Adelajda ka vazhduar duke thënë se Tanin e sheh si shumë inteligjent e me karakter. "Ku e pe ti inteligjencën e Dritanit?" - i ka thënë asaj Republika, duke shtuar së bashku me Aidën se çfarë ka ai që nuk e kanë ato. "Konkurrent është ai që e nxjerr kokën, jo ai që rri fshehur!" - ka thënë Republika. Ndërsa Aida, në dukje me shaka, ka thënë se Tani mund të ishte inteligjent, por jo më shumë se ajo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›