Paris, Romë, Munich?
Munich ka mundësi të jetë ndalesa e radhës e turneut të madh europian të regjisorit Woody Allen. Ai aktualisht është duke bërë xhirimet në Romë për filmin ‘The Bop Decameron’ dhe është në negociata me studiot bavareze për ta financuar projektin e tij të radhës, njofton Hollywood Reporter. Filmi, tanimë i patitulluar, ka një buxhet në vlerë prej 17 milionë dollarë.
Pas filmimeve të mëhershme në Angli dhe Spanjë, ka qenë qëndrimi i Allen në Francë, ku xhiroi filmin ‘Midnight in Paris’, që deri më tani ka rezultuar më fitimprurësi: ky film ka marrë vetëm në SHBA 50 milionë dollarë, duke u bërë filmi më i suksesshëm komercial i regjisorit Woody Allen. Në fillim të kësaj jave, Sony Pictures ka lajmëruar se do t’i japë një ndihmesë filmit në kinematë amerikane, bashkë me një fushatë për shpërblime që do të përfshinte edhe kandidimin për Oscar. ‘Midnight in Paris’ do të fillojë të shfaqet në Britani të Madhe më 7 shtator. Filmi është mirëpritur në premierën e tij në Festivalin e Filmit në Cannes në maj.
Filmi i radhës i Allen, ‘The Bop Decameron’, i frymëzuar nga ‘Dekameroni’, përmbledhja me tregime të shkurtra e shkrimtarit italian Giovanni Boccaccio, është përmbledhje e skicave, njëra prej të cilave përqendrohet në një çift amerikan që udhëton në Itali për të takuar familjen e të fejuarit të vajzës së tyre.
Në këtë pjesë thuhet se paraqitet vet Woody Allen, duke u kthyer përballë kamerës për herë të parë që nga filmi ‘Scoop’, i cili ishte bërë në vitin 2006 por asnjëherë nuk është shfaqur në Britani të Madhe. Judy Davis, Alec Baldwin, Roberto Benigni, Penelope Cruz, Jesse Eisenberg, Greta Gerwig, Ellen Page dhe Alison Pill të gjithë janë konfirmuar se do të luajnë në këtë film.