E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris vendoset statuja e Zinedin Zidan

Gjesti ka ndodhur në vitin 2006. Ishte i famshëm edhe në atë kohë, ndoshta është bërë edhe më shumë me kalimin e viteve. Në Paris është ekspozuar një statujë e goditjes me kokë që Zinedin Zidan i bëri Marko Materacit në finalen e Kupës së Botës 6 vjet më parë.
Gjithçka ndodhi në finalen e Berlinit, ndërsa mbrojtësi italian doli se e kishte ofenduar superyllin francez, me origjinë algjeriane, që po luante ndeshjen e fundit me kombëtaren në karrierën e tij aq shumë të lavdishme.
Statuja prej bronzi është 5 metra e lartë, është vepër e skulptorit algjerian Abdel Abdesemed dhe është vendosur në sheshin e njohur të Parisit, të quajtur “Sentre Pompidu”.
Statuja është kthyer menjëherë në një objekt kulti në Paris me qindra turistë nga e gjithë bota që kanë shfrytëzuar rastin për të bërë fotografi para kësaj vepre arti e cila mban pikërisht titullin “Coup de tete” (Gjuajtje me kokë).
Italia e fitoi atë finale pas gjuajtjeve të penalltive dhe Materaci shënoi një nga 11-metërshat. Franca u detyrua të luante një pjesë të kohës shtesë me 10 lojtarë pasi Zidan u përjashtua nga loja me karton të kuq dhe nuk arriti të fitonte ndonëse luajti më mirë sesa të kaltrit.
Zidan e përfundoi keq karrierën e tij me “gjelat blu”, por megjithatë do të mbahet mend si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›