E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Benedict XVI kunder dopingut

Në kongresin e 32-të Botëror të Mjekësisë së Sportit, të zhvilluar në kështjellën Gandolfo në Romë, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e 117 vendeve nga pesë kontinente, Papa Benedict XVI ka kujtuar se çdo sportist është më tepër se thjesht një atlet që konkurron. 
“Suksesi, fama, medaljet dhe përfitimet ndonjëherë shndërrohen në prioritetin ose në objektivin e vetëm të atyre që merren me sport”. Ky është denoncimi i Papës, që nënvijëzoi me “synimin për të fituar me çdo kusht harrohet shpirti i vërtetë i sportit” dhe “arrihet deri në abuzim apo keqpërdorim të mjeteve që vë në dispozicion mjekësia moderne”.
Duke qëndruar në këtë linjë, Benedict XVI ka lëshuar një apel për ekspertët e mjekësisë sportive, për të parandaluar që abuzimi me substanca të ndaluara të shkatërrojë sportin.

Ati i Shenjtë nënvijëzoi se pas çdo atleti është një person i cili “ka si detyrë perfeksionimin moral dhe shpirtëror, përpara paraqitjeve fizike”. Kjo frazë ka shërbyer edhe si një thirrje për ekspertët e mjekësisë sportive, që të mos jenë thjesht agjentë në funksion të shëndetit fizik dhe arritjeve sportive, por të punojnë edhe për rikthimin moral, shpirtëror dhe kulturor në sport.

Më tej, Benedict XVI e vendosi theksin te “aftësia pozitive e sportit për të bashkuar njerëzit dhe popujt”, diçka që u konfirmua në mënyrën më të mirë në Olimpiadën e fundit në Londër, por edhe gjatë Lojërave Para Olimpike. Papa tha se ky ishte një aktivitet i nivelit më të lartë që zhvillohet në emër të paqes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›