Paris, zyrtarët shuajnë 3 herë flakën olimpike
Zyrtarët e sigurisë janë detyruar të shuajnë tri herë flakën olimpike pas protestave anti-Kinë që kanë shkaktuar kaos në rrugët e Parisit. Udhëtimi i pishtarit në kryeqytetin francez është shoqëruar nga një seri ndalesash dhe nisjes. Pavarësisht masave të forta të sigurisë, të paktën dy aktivistë për lirinë e Tibetit kanë arritur t‘i afrohen disa centimetra flakës, përpara se të ndaloheshin nga policia. Zyrtarët janë përballur fizikisht me shumë protestues dhe kanë larguar disa prej tyre. Njëri prej protestuesve i ka hedhur ujë pishtarit, por nuk ka arritur ta shuajë, e më pas është shoqëruar nga forcat e rendit. Pas mbërritjes në Paris, flaka olimpike ishte pritur nga ambasadori kinez, Kong Kuan, dhe e ka kaluar mbrëmjen në hollin e nderit të aeroportit "Roissy-Charles de Gaulle". Dje ajo ka nisur "shëtitjen", që ishte planifikuar të zgjaste 28 kilometra, nga kati i parë i kullës Eifel dhe parashikohej që të kalonte në pikat kryesore turistike të qytetit (ndërmjet të cilave dhe Harku i Triumfit dhe Shamps Elize). I pari që ka pasur nderin ta transportojë ishte ish-kampioni botëror i 400 metrave me pengesa, Stefan Diagana, tashmë president i Ligës Kombëtare Franceze të Atletikës. Protestuesit e sulmuan flakën që prej fillimit dhe i pari që tentoi ta shuante ishte një person i identifikuar si aktivist i Partisë së të Gjelbërve. Megjithatë, rrugëtimi i flakës u ndërpre për herë të parë vetëm pak çaste më vonë, pas "pritës" së një turme me protestues, të cilët mbanin flamurë tibetianë në duar. Demonstruesit nuk iu afruan shumë pishtarit, por pavarësisht kësaj, flaka u shuajt nga zyrtarët e sigurisë dhe ajo u transportua në autobus për të vazhduar udhëtimin sipas planit. Diçka më pak se një orë më vonë, flaka u nxor nëpërmjet një tuneli në Paris, nga një atlet me karrige me rrota. Për shkak se aktivistët vazhdonin protestat dhe brohorisnin "Tibet", pishtari u shuajt për herë të dytë, e më pas u hip sërish në autobus. Afro 3 mijë forca policore ishin angazhuar për të shoqëruar simbolin e Lojërave Olimpike me makina, motorë dhe patina. Gjithsesi, ata kanë frenuar me shumë vështirësi tentativën e dytë të protestuesve, për të shuar flakën me ujë. Ndërkohë, një grup protestuesish u ngjitën në kullën Eifel dhe shpalosën një banderolë të madhe, ku rrathët olimpikë ishin pranga. Shuajtja për herë të tretë e pishtarit është bërë si masë parandaluese, sepse policia piketoi turmën e protestuesve që po qëndronte mbi një urë. Ndërmjet të ndaluarve ka qenë edhe Mireil Ferri, zyrtare e Partisë së të Gjelbërve, që pohoi se policia e kishte ndaluar për afro dy orë, pasi ajo po i afrohej kullës Eifel me fikëse zjarri. Në shumë lokalitete të tjera franceze, aktivistët e zemëruar me Kinën që nuk mbron të drejtat e njeriut dhe shtyp me dhunë Tibetin, kanë mbajtur parulla ku shkruhej "flaka e turpit". Rrugëtimi i pishtarit në Paris, ku sipas planit ai do të mbahej në duar nga 80 atletë, ka hasur edhe kundërshtimin e disa sportistëve. Dy herë kampioni i xhudos në Francë, David Duilet, bëri të ditur se kishte refuzuar të ishte njëri prej mbajtësve të flakës, sepse nuk ishte dakord me shtypjen e një populli, që bie ndesh me vlerat e lirisë dhe sigurisht me vlerat olimpike. Nga ana tjetër, edhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e ka lënë të hapur mundësinë e bojkotimit të ceremonisë së hapjes së Lojërave të Pekinit, në varësi të zhvillimeve në Tibet. Pritet që flaka olimpike të ketë kundërshtarë kudo në 21 qytetet e tjera të gjashtë kontinenteve ku do të kalojë, përpara se të arrijë në Kinë, më 4 maj.