E Diel, 1 Nëntor 2026

Parizi: Shqipëria nuk ka nevojë për centrale bërthamore

DURRES- “Centralet Bërthamore janë lojë politike dhe Shqipëria si dhe Europa nuk kanë nevojë për të tillë” deklaroi përfaqësuesi i rajonit të Puljas, Natale Parizi , që duket se ka befasuar pritshmërinë e opinionit shqiptar. I ndodhur në Durrës bashkë me zv.presidentin e PE Giani Pitella, Parizi bëri një deklaratë të tillë gjatë prezantimit të fondacionit Meseuro që ka për qëllim integrimin politik, ekonomik e shoqëror të vendeve të Mesdheut.

“Shqipëria nuk ka nevojë për centrale bërthamore. Berluskoni në Pulja deklaroi se centrali bërthamor nuk do të ndërtohet në Pulja por në Shqipëri. është spekuluar politikisht për ndërtimin e centraleve , Shqipëria ka burime të tjera që mundësojnë prodhimin e energjisë së rinovueshme. Centralet bërthamore dhe ato me qymyr janë të dëmshme për njerëzit dhe ambientin” u shpreh Parizi.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u ndal ndërkohë tek emigracioni ku theksoi rëndësinë e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
“Me praninë e më shumë se 500 mijë emigrantëve të rregullt në zhvillimin dhe vitalitetin e ardhshëm të Europës , këta të rinj që janë të etur të jetojnë në lirinë e ideve , lëvizjes dhe të lidhjes me të gjithë të rinjtë europianë tashmë po kalojnë pragun e durimit maksimal me shtyrjen e vazhdueshme të liberalizimit të vizave.” theksoi Dako.

Ndërkohë , zv/president i Parlamentit Europian Giani Pitella dha garancinë për shqiptarët duke premtuar se do ti kërkojë Komisionit Europian përshpejtim të procesit.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›