E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parku i liqenit, mbillen 500 mimoza

Florës së Parkut të madh të Tiranës i janë shtuar dje edhe 500 mimoza që janë mbjellë nga punonjësit e bashkisë kryeqytetase. Ky është vazhdim i punës për transformimin dhe rivitalizimin e kësaj mushkërie të gjelbër për kryeqytetin.

Kryebashkiaku Rama, duke vënë theksin në rëndësinë e transformimit të parkut dhe kthimin e tij në një park të standardeve evropiane, u shpreh: "Këto disa mijë pemë që po mbillen në këtë park, janë përgjigjja jonë për akuzat dhe shpifjet, lidhur me të ardhmen e parkut, të ardhme që me fitoren e 28 qershorit do ta garantojmë përfundimisht si të ardhme evropiane, sepse do të çlirojmë edhe fondin e bllokuar nga qeveria shqiptare, i cili do të na mundësojë rindërtimin e plotë të pasqyrës ujore, të së gjithë infrastrukturës së brendshme dhe ambienteve çlodhëse, ndërtimin e plazhit urban te diga, transformimin e këtij parku në një model evropian të zhvillimit mjedisor".

Rehabilitimi i parkut, sipas drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, ka si synim përmirësimin e së gjithë infrastrukturës së tij, me rindërtimin e rrugëve të brendshme, ndërtimin e një korsie të veçantë për vrapuesit e një korsi të veçantë për biçikletat e në mënyrë të veçantë rikompozimin e ndriçimit publik dhe rindërtimin e së gjithë pasqyrës ujore.

Rivitalizimi i Parkut të Madh të Tiranës synon një transformim rrënjësor nga pikëpamja cilësore, ekologjike dhe mjedisore të kësaj arterieje të kryeqytetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›