E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani apel bankave: “Transparencë në interesat e kredive dhe depozitave”



Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë ka përsëritur sërish dje kërkesën e saj për më tepër transparencë dhe rigorozitet në aktivitetin e bankave private. Sipas Guvernatorit Ardian Fullani, bankat e nivelit të dytë duhet të orientojnë normat e interesit për produktet dhe shërbimet e tyre, veçanërisht kreditë dhe depozitat, në bazë të vendimeve të BSH-së për koston e lekut e cila aktualisht është në nivelin 5.25 për qind. Gjatë një takimi me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, Guvernatori Fullani ka bërë apel për një zbatim më të mirë të politikës monetare nga sistemi bankar, një filozofi kjo që sipas tij do të ulë nivelin e rrezikut dhe do të ndihmojë në parashikimet për ekonominë. “Shënjestrimi i normave të interesit në tregun ndërbankar paraqitet si një alternativë praktike. Një filozofi e tillë operacionale udhëhiqet nga nevoja e orientimit të normave të shkurtra të interesit në tregun bankar afër normës bazë të interesit të përcaktuar nga BSH-ja. Si e tillë ajo i shërben më mirë kontrollit të horizontit afatshkurtër të kurbës së normës së interesit duke e bërë më transparent aktivitetin e politikës monetare dhe njëkohësisht duke dhënë sinjale të qarta për aktivitetin ekonomik të vendit”,- deklaroi Guvernatori Fullani. Eksperienca e deritanishme ka treguar se bankat tregtare i kanë reflektuar me vonesë ndërhyrjet që BSH-ja ka bërë në normën bazë të interesit. Rasti i fundit ishte ulja që ju bë kostos së lekut në tetor të vitit 2009. Bankat private e pasqyruan këtë vendim me ulje të interesave të kredive dhe depozitave disa muaj më vonë, për shkak edhe të situatës së vështirë ekonomike në vend dhe në arenën ndërkombëtare.

Norma e interesit
Guvernatori Fullani, tha dje se pika fillestare e referimit për bankat private duhet të jetë norma bazë e interesit që përcakton BSH-ja. “Orientimi i operacioneve tona drejt stabilitetit të normave të interesit në tregun ndërbankar udhëhiqet nga nevoja e orientimit të normave të shkurtra të interesit ndërbankar afër normës bazë të interesit të përcaktuar nga autoriteti monetar, Banka e Shqipërisë. Këto norma mund dhe duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për përcaktimin e çmimeve të produkteve bankare si në kahun e aktivit, ashtu dhe në kahun e pasivit”,- ka deklaruar Fullani. Aktualisht interesat e kredive më shumë se sa nga politika që ndjek BSH-ja përcaktohen nga oreksi i qeverisë për borxh, më saktësisht nga eucria e interesave të bonove. Kjo, sipas ekspertëve, ndodh për shkak të mungesës së tregut të mirëfilltë ndërbankar. “Bankat mund dhe duhet të jenë aktive në kuotimin e likuiditetit në lekë, duke ndjekur të njëjtin qëndrim dhe atë të valutës. Kuotimi i vazhdueshëm do të nxisë një administrim më aktiv të likuiditetit do të mundësojë përcaktimin e çmimit të vazhdueshëm në të”,- ka nënvizuar Fullani. Transmetimi i politikës monetare ka qenë një problem i hershëm i ekonomisë shqiptare. Edhe vitin e kaluar, kur banka u përpoq të stimulonte ekonominë duke ulur normën bazë, përcjellja në treg ishte e vonuar dhe jo e plotë.

Tregjet
“Nuk mund të ketë një ekonomi të zhvilluar mirë pa pasur tregje të hapura dhe të mirërregulluara dhe banka që operojnë në kuadrin e tyre”,- tha dje guvernatori Fullani. Gjatë konferencës Fullani ka theksuar domosdoshmërinë e zhvillimit të tregut ndërbankar, si një sfidë të madhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik, duke kontribuar kështu në mirëqenien e vendit. “Zhvillimi i këtij tregu bankar shërben direkt në mirëqenien e qytetarëve dhe prandaj BSH-ja nga ana e saj ka ndërmarrë hapa në zhvillimin e tregut të parasë përmes bankave, duke siguruar komunikim të qartë dhe të vazhdueshëm me operatorët privatë”,- tha ai. Duke konkluduar se si rezultat i këtyre nismave, politikat monetare realizohen përmes operacionesh që kryhen në banka.
“Ekonomia shqiptare është fakt se po merr tiparet e një ekonomie tregu dhe duke paraqitur sfidat tipike të kohës”,- shtoi guvernatori i BSH-së, duke përfunduar se paraqitet mëse e domosdoshme nevoja e hapjes së mëtejshme të saj. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së pritet të mblidhet në fund të muajit për të diskutuar mbi politikën monetare që do të ndiqet në periudhën në vazhdim. Sipas ekspertëve të ekonomisë, mundësitë janë për një ulje të mëtejshme të kostos së parasë, një masë kjo, e cila do të ndikojë në zvogëlimin e interesave të borxhit të qeverisë.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›