E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Evropian diskuton sot rezolutën mbi pavarësinë e Kosovës

Godina e Parlamentit Evropian në Strasburg

Strasburg, 4 shkurt, 08.56, NOA - Bashkimi Evropian pritet të deklarohet sot rreth një-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çështje për të cilën ende ka mospajtime brenda këtij organizmi.

Kjo bëhet e ditur nga Parlamenti Evropian, i cili do të shqyrtojë rezolutën për Kosovën gjatë mbledhjes në Strasburg.

Ai do të ftojë edhe Këshillin e Ministrave e Komisionin Evropian të deklarohen rreth zhvillimeve në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të vitit të kaluar.

Qëndrimet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian do t’i paraqesë Mirek Topolanek, kryeministër i Çekisë, njëherësh kryesues i BE-së, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Diskutimet rreth projektrezolutës për Kosovën, e cila është hartuar nga deputeti holandez, Joost Langendijk, do të mbahen sot pasdite, ndërsa miratimi i saj mund të shtyhet për të enjten, nëse kërkohet më shumë kohë për diskutime.

Në një njoftim të Parlamentit Evropian theksohet se tashmë në Kosovë, në një kornizë më të gjerë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, me mandat dyvjeçar, vepron misioni EULEX – i cili do të marrë fund atëherë kur pushteti në Kosovë të arrijë përvojën e mjaftueshme për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor për gjithë shoqërinë.

Po ashtu thuhet se, Presidenca çeke e BE-së do të përpiqet në maksimum për të arritur normalizimin gradual të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e sidomos për pjesëmarrje bilaterale në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Në projektrezolutë gjithashtu theksohet nevoja për ekzistimin e policisë multi-etnike në të gjitha pjesët e Kosovës – ndërsa i bëhet thirrje pushtetit në Kosovë të mbështesë përfshirjen e serishme të policëve serbë në Policinë e Kosovës.

Kohë më parë mediat patën raportuar për dështimin e përpjekjeve të Serbisë që nëpërmjet disa deputetëve (nga Rumania dhe Greqia) të Parlamentit Evropian të ndryshonte tekstin e projektrezolutës për Kosovën, të paraqitur në Komitetin për Politikë të Jashtme nga deputeti, Joost Langendijk.

INA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›