E Diel, 1 Nëntor 2026

“Parlamenti Evropian do miratojë projekt-rezolutën për vizat”

Intervista Tanja Fajon/ Situata politike nuk ndikon në vendimin e Brukselit

Raportuesja për vizat Tanja Fajon shprehet e sigurt se Parlamenti Europian dhe parlamentet nacionale do ta votojnë projekt rezolutën për heqjen e vizave. Gjatë një interviste për mediat, europarlamentarja Fajon përmend edhe risqet e mundshme për Shqipërinë, duke u fokusuar tek ngërçi politik, por siç tha ajo vizat nuk janë çështje politike, duke u zotuar se evropianët do marrin një vendim në interes të qytetarëve shqiptarë.
“Parlamenti Europian është ende i vendosur për heqjen e regjimit të vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës, sapo të jenë përmbushur kriteret nga këto dy vende. Kolegët e grupimeve kryesore politike shprehën mbështetje të madhe dhe unë pres që të kemi raportin oral nga Komisioni në fillim të shtatorit. Ekspertet po vlerësojnë në Shqipëri procesin këtë javë. Unë kam lajme inkurajuese deri tani e shpresoj që raporti i Komisionit të jetë pozitiv në shtator, dhe nëse rezultatet do të jene të kënaqshme, ne parashikojmë që të bëhet votimi në seancë plenare në shtator ose në tetor”, u shpreh raportuesja për vizat në PE, Tanja Fajon.

A prisni ndonjë vërejtje të motivuar me principin e subsidiaritetit nga parlamentet nacionale?
Deri tani nuk na kanë dërguar gjë, e nuk pres që gjatë verës parlamentet nacionale të reagojnë realisht. Aktualisht po ndjekim procedurën normale, ku raporti u prezantua dhe në shtator, kjo do të jetë më e qartë ndoshta pasi të jepen dhe vlerësimet nga Komisioni. Pastaj nuk e përjashtoj mundësinë që disa debate të rihapen, ..shqetësime të reja, por shpresoj që ne të merremi me këtë proces sa më shpejt, dhe që vendosmëria e dy qeverive të mbetet, jo vetëm për këtë javë e atë që kaloi, por edhe në muajt e ardhshëm.

Sipas informacioneve tuaja çfarë shqetësimesh ka deri tani ?
Të gjithë po presim raportimin nga ekspertet. Kam garanci se pari nga Sarajeva e tani dhe nga Tirana se ato kritere që kanë mbetur, janë përmbushur. Shpresoj që ekspertët do të njohin po ashtu këtë progres e që në shtator do kemi një raport pozitiv. Në rast se raporti nuk do të jetë pozitiv, kam frikë se i gjithë procesi mund të shtyhet. Një shqetësim tjetër është për shembull situata politike në Shqipëri. Nëse do të përballim protesta serioze serish në rrugë, apo do të mungojë dialogu mes politikanëve të të gjitha palëve, ose që Kuvendi të mos jetë funksional, atëherë vendet anëtare do të shprehin shqetësime të tjera, sigurisht, sepse vizat janë proces teknik, por duam të shohim gjithashtu një vend me stabilitet të mirë politik.

A mendoni se Bosnja e Shqipëria do të qëndrojnë bashkë në këtë proces deri në fund, apo shihni ndonjë ndarje të mundshme?
Shpresoj që Shqipëria dhe Bosnja do të jenë në të njëjtën paketë për raundin e dytë të liberalizimit të vizave. Natyrisht është gjithnjë e mundur që një vend të ecë me ngadalë se tjetri, e në fund të fundit ne i çmojmë sipas meritave individuale. Nëse vimë në situatën ku teknikisht njëri prej vendeve nuk përmbush tërësisht të gjitha kriteret e përcaktuara nga komisioni, atëherë është e mundur që këto dy vende të ndahen e dikush të shkojë më shpejt se tjetri. Shpresoj që ky të jetë më shumë një skenar i pamundur, pasi duam që të finalizojmë procesin për të dy vendet në të njëjtën kohë, por siç e thashë nuk përjashtohet që njëri prej vendeve të ecë më shpejt nëse i plotëson kriteret.

Në fakt ju në raportin tuaj thoni se do të ishte shumë e rëndësishme që në fillim të vjeshtës 2010, Bosnja veçanërisht të merrte liberalizimin e vizave, duke argumentuar me situatën politike dhe çështjet etnike atje. A është ky një sinjal?
Nuk po vë asnjë shenjë të veçantë. Unë mbështes plotësisht liberalizimin e vizave për të dy vendet, Shqipërinë dhe Bosnjën. Ndoshta Bosnja është pak më komplekse sepse ka grupe të ndryshme etnike e më shume ndarësi në kompleks si shtet, por të dy vendet kanë bërë progres të mirë gjatë muajve të fundit, nga pikëpamja teknike. Për sa i takon anës politike, situatat janë shumë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Ndaj shpresoj që ky proces teknik i deri tanishëm do të mbetet thjesht proces teknik e që ne nuk do të flasim në fund për një vendim politik, gjë për të cilën ne ndjejmë sot shqetësime kundrejt vendeve anëtare se nuk po shikojnë vetëm procesin teknik dhe kriteret teknike.

Por çfarë?
Ka shqetësime tek vendet anëtare për situatën politike në Shqipëri për shembull. Dhe kjo, nëse situata do te përkeqësohet, mund të vonojë procesin për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë. Shpresoj që ne do t’i përmbahemi qëndrimit për kriteret teknike e që ky proces nuk do të bëhet politik në fund.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›