E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimet ekonomike të muajve të fundit përmbajnë sinjale inkurajuese

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se me FMN e ministrinë e Financave ishte ndarë opinioni i përbashkët për të qenë të kujdesshëm në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë. Në këtë kuadër Fullani shtoi se BSH ishte e angazhuar për të marrë veprime korrekte. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vuri në dukje se situata ekonomike është mjaft inkurajuese.
“Zhvillimet ekonomike të muajve të fundit përmbajnë sinjale inkurajuese, por ato ilustrojnë gjithashtu disa dobësi të ekonomisë shqiptare dhe kompromiset që duhet të njohin e të pranojnë politikëbërësit në përmbushjen e objektivave të tyre. Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë gjysmës së parë të vitit 2010 ka qenë në linjë me projeksionet tona, duke u karakterizuar nga një rritje pozitive, por e ngadaltë, e aktivitetit ekonomik. Kjo rritje është mbështetur në një masë të madhe në rritjen e shpejtë të eksporteve, duke ilustruar përmirësimin e ekonomisë botërore, pozicionin më konkurrues të kursit të këmbimit, por edhe përpjekjet e bizneseve dhe të industrive që operojnë në këtë sektor për gjetjen e tregjeve të reja dhe shfrytëzimin e avantazheve të tyre konkurruese. Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme ka pasur një ecuri të ngadaltë, duke reflektuar kryesisht pasigurinë ende të lartë dhe vështirësitë në financimin e aktivitetit ekonomik. Në kontekstin e ekuilibrave bazë të ekonomisë, kjo periudhë është shoqëruar me presione inflacioniste të kontrolluara dhe në rënie, si dhe me tendenca korrektuese në pozicionin e jashtëm të vendit”, u shpreh Fullani.
Sipas tij, shëndeti financiar i ekonomisë është përmirësuar, besimi në sistemin bankar është rikuperuar dhe primet e rrezikut në të kanë ardhur në rënie.
“Këto tendenca të përgjithshme pritet të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme”, tha Fullani duke shtuar se BSH është e gatshme të shohë mundësinë e një stimuli tjetër monetar në funksion të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›