Parlamenti Evropian mirëpret kandidimin e Shqipërisë për në BE
Europarlamentarja Doris Pack u ka dhënë fund spekulimeve, lidhur me mungesën e mbështetjes për paraqitjen e kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, brenda presidencës çeke, duke konfirmuar zyrtarisht se Parlamenti Evropian mirëpriste paraqitjen sa më të shpejtë të qeverisë shqiptare nga kabineti “Berisha”
TIRANE - “Ne do të bëjmë ç’është e mundur që ju dhe vendet e tjera të afroheni me BE-në. Ju duhet të bëni punën tuaj, por gjithsesi ne do ju ndihmojmë”, tha dje Doris Pack, kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian, e cila dje vizitoi Tiranën dhe zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetëror.
Mbështetjen e saj, zonja Pack e konfirmoi gjatë takimit të 16-të ndërparlamentar të radhës mes parlamentit shqiptar dhe delegacionit të Parlamentit Evropian, që çeli punimet pasditen e djeshme. Në qendër të diskutimeve të këtij takimi, ishte ecuria e reformave integruese në Shqipëri në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të këtij viti.
Kryetarja e delegacionit shqiptar në PE, Arenca Trashani në fjalën hapëse vlerësoi se, “takimi i sotëm vjen në një moment të rëndësishëm që lidhet me përmbushjen e standardeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ku veçohet si arritje konsensusi partiak për reformat jetike të jetës së vendit, si reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore. Kodi i ri zgjedhor përbën një standard të ri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, po ashtu dhe shumë ligje të tjera i kontribuojnë thellimit të reformave në të gjitha fushat, ku prioritet për mazhorancën mbetet lufta kundër korrupsionit, informalitetit, etj”, tha kryetarja e delegacionit shqiptar.
Ndërsa kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian, Doris Pack, pas takimeve që pati gjatë ditës së djeshme me zyrtarë të lartë shqiptarë, tha se “ne shpresojmë që vendi juaj shumë shpejt të bëhet kandidat për anëtarësim në BE. Ne në BE, kemi së shpejti zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe do të kemi edhe një komision të ri. Ju mund të siguroheni që shumë diskutime zhvillohen për çështjen e zgjerimit dhe jo gjithkush në BE është në favor të këtij zgjerimi. Një pjesë e vendeve ngurrojnë lidhur me anëtarësitë e reja, por gjithsesi ne u përmbahemi angazhimeve të Samitit të Selanikut dhe do të kemi një komisioner për zgjerimin. Ne do të bëjmë ç’'është e mundur që ju dhe vendet e tjera të afroheni me BE-në. Ju duhet të bëni punën tuaj, por gjithsesi ne do t’ju ndihmojmë”, tha Pack. Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan tha në këtë takim se viti 2009 është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe Shqipërinë. “Zgjerimi i BE-së i ka shërbyer demokracisë si një spirancë për paqen e prosperitetin”, tha Lohan gjatë fjalës së tij. Sipas tij, 2009-ta është i rëndësishëm për Shqipërinë për shkak të nënshkrimit të MSA-së më datën 1 Prill, hyrja në NATO po ashtu edhe për zgjedhjet, që do jenë test për maturinë demokratike. “Më i rëndësishëm është fakti që këto dy ngjarje shënojnë fillimin e një epoke te re për performancën e Shqipërisë”, theksoi Lohan.
Krerët e lartë të shtetit: Zgjedhjet dhe reformat, prioritetet e mazhorancës për integrimin në BE/Zgjedhjet e ardhshme, si edhe reformat në kuadrin e procesit integrues të Shqipërisë në BE, kanë qenë tema diskutimi mes zyrtarëve të lartë shtetërorë, në takime të veçanta që zhvilluan dje, me Doris Pack, kryetaren e delegacionit të Parlamentit Evropian që vizitoi Shqipërinë. Në këto takime, Pack, u njoh me përpjekjet dhe arritjet e ligjvënësit dhe ekzekutivit shqiptar, në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Paraprake me BE-në. Ndërsa Pack, inkurajoi ecurinë e deritanishme të Shqipërisë, u njoh edhe me angazhimin e strukturave shtetërore shqiptare
Jozefina Topalli – Doris Pack
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti dje në një takim delegacionin e deputetëve të Parlamentit Evropian, kryesuar nga deputetja Doris Pack, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të takimit ndërparlamentar të radhës Shqipëri-BE.
Duke u ndalur konkretisht te ngjarja e pritshme, integrimi i Shqipërisë në NATO, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Shqipëria ndodhet në një kohë integrimesh të mëdha. Pas dy javësh në Strasburg Kehl Shqipëria do të anëtarësohet në NATO, krah vendeve më të fuqishme të botës, ngjarje e jashtëzakonshme dhe me një domethënie të veçantë në historinë e Shqipërisë”. Nga ana tjetër, duke u ndalur edhe tek aspirata tjetër e vendit tonë, Kryetarja Topalli u shpreh se “së shpejti Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE”. Në vazhdën e proceseve zinxhirë të integrimit të vendit në familjen e madhe evropiane, Kryetarja e Kuvendit u ndal në ecurinë e përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke përcjellë edhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Genc Pollo – Doris Pack
Zëvendëskryeministri Genc Pollo priti dje në një takim delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Doris Pack, me rastin e takimit ndërparlamentar të 16-të midis Parlamentit shqiptar dhe atij të Bashkimit Evropian. Gjatë takimit, delegacioni i BE u përqendrua në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Pollo mori mbështetje të plotë nga europarlametarët për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit anëtar të BE, dhe njëherazi kërkoi mbështetjen e PE pasi Shqipëria ta ketë bërë këtë kërkesë, në mënyrë që procesi të jetë sa më i suksesshëm dhe i shpejtë. Për sa i përket procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Pollo i garantoi delegacionit evropian se qeveria do bëjë të mundur që këto zgjedhje të jenë më të mirat të realizuara deri më sot në vend, dhe të krahasueshme me standardet më të mira në Evropë. Eurodeputetët ndanë të njëjtin mendim me palën shqiptare se është e nevojshme që të gjitha partitë e spektrit politik parlamentar shqiptar të bëjnë përpjekje për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe pajisjen e tyre me letërnjoftime elektronike.
Lulzim Basha - Doris Pack
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje delegacionin e europaralamentarëve që kryesohej nga deputetja Doris Pack, në cilësinë e kryetares së Delegacionit për Marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore. Ministri Basha informoi bashkëbiseduesit në lidhje me hapat që po ndërmerren për avancimin e Shqipërisë në proceset integruese drejt BE-së, si dhe rreth zhvillimeve të fundit në rajon. Interes mjaft të veçantë europarlamentarët shfaqën për këndvështrimin dhe analizat e shtetit shqiptar sa u përket zhvillimeve në Kosovë. Ministri Basha shprehu mirënjohjen e shtetit shqiptar për angazhimin e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të BE-së në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke theksuar se perspektiva evropiane ka qenë gur themeli për zhvillimin e gjithanshëm të këtyre vendeve. Eurodeputetët shprehën vlerësimin e tyre për arritjet e Shqipërisë në proceset e saj integruese dhe për anëtarësimin e pritshëm muajin që vjen të Shqipërisë në NATO, si dhe vlerësuan kursin e qartë, të hapur e bashkëpunues të politikës së jashtme shqiptare.
Bujar Nishani - Doris Pack
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti dje në një takim Kryetaren e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore Doris Pack dhe delegacionin që e shoqëronte. Ministri i Brendshëm njohu përfaqësuesen e lartë të Parlamentit Evropian me procesin e përgatitjes dhe realizimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, një arritje kjo që krahas punës së strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe të gjitha njësive të qeverisjes vendore, është asistuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe në veçanti nga qeveritë austriake dhe norvegjeze. Ministri Nishani theksoi në takim se falë krijimit dhe funksionimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, për herë të parë është respektuar afati i shpalljes së listave paraprake të zgjedhësve katër muaj para zhvillimit të tyre, kështu që zgjedhësit munden të kontrollojnë emrin dhe adresën e tyre të qendrës së votimit si në internet edhe pranë njësive vendore ku ata janë të regjistruar. Ministri i Brendshëm paraqiti një informacion të hollësishëm për Pack dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike. Ministri Nishani u shpreh se procesi është në rrugën e duhur, po ecën normalisht dhe në bazë të kapaciteteve të vëna në dispozicion, janë të gjitha mundësitë që deri më 28 Qershor të pajisen me letërnjoftime elektronike deri në 1.3 milion zgjedhës.
Enkelejd Alibeaj - Doris Pack
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj zhvilloi dje një takim me Kryetaren e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me vendet Juglindore, Doris Pack, dhe anëtarë të tjerë të këtij Delegacioni, të cilët i njohu me ecurinë e reformës në drejtësi dhe arritjet në këtë drejtim. Ministri Alibeaj e informoi Pack mbi situatën reformuese në sistemin gjyqësor në vend, performancën e arritur në trajtimin e të dënuarve si dhe ecurinë e marrëdhënieve institucionale që Ministria e Drejtësisë ka me institucionet e tjera të pavarura të sistemit të drejtësisë. Ministri, informoi delegacionin edhe për ndryshimet e reja ligjore të miratuara nga parlamenti shqiptar dhe sidomos për ndryshimet ligjore në “Ligjin për Prokurorinë “, të miratuar nga parlamenti vitin e shkuar pas asistencës dhe mbështetjes me ekspertizë të misioneve EURALIUS dhe OPDAT. “Ndryshimet ligjore rrisin garancitë e prokurorisë për pavarësi, paanësi dhe përgjegjshmëri para ligjit në ushtrimin e detyrës, si dhe krijojnë një mekanizëm transparent marrëdhëniesh mes qeverisë dhe prokurorisë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe luftës ndaj kriminalitetit”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.