Edi Rama s’ndahet dot nga zgjedhjet e fituara me çertifikata
Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në punimet e Samitit të krerëve të partive popullore dhe garanton krerë shtetesh e qeverish, anëtare të BE-së, se Shqipëria do të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve të OSBE-së, të cilat nuk do të shkelen, megjithë vullnetin e Edvinit për t’iu kthyer kohës së çertifikatave
TIRANE - Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në përmbushje të plotë me standardet ndërkombëtare. Kështu u shpreh dje nga Brukseli kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar procesit të ardhshëm zgjedhor në vendin tonë
Pas punimeve të samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane, Berisha u shpreh se Shqipëria nuk do të jetë më vendi që zhvillon vetëm zgjedhje të diskutueshme.
“Zgjedhjet do të përmbushin standardet dhe do të vëzhgohen nga qindra e qindra vëzhgues. Këto zgjedhje do të zhvillohen me infrastrukturën më moderne. Katër muaj përpara janë ndarë listat elektronike. Së bashku me një kompani austriake është bërë pastrimi i të gjitha dublikimeve. Po hiqen certifikatat dhe del Rama nga certifikatofobia. E çlirova dhe nga kjo fobi atë. Tani ka vetëm pasaporta me të cilat qytetarët shqiptarë udhëtojnë jashtë shtetit dhe me letërnjoftimin elektronike”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se inkurajimi i qytetarëve për të marrë kartat është detyra e çdo politikani.
Kryeministri i u shpreh kundër zhvlerësimit të kartave të reja të identitetit, nismë që synon ta iniciojë Partia Socialiste.
“Synimet e përcaktuara janë qëllimet realisht më të ulëta të imagjinueshme dhe nuk mund të shkohet me zhvlerësimin e tyre. Juve ju kujtohen kartat që morët për të votuar vite më parë dhe u hodhën të gjitha rrugëve, sepse ishin pa asnjë vlerë. Ndërsa ky dokument është një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm për qytetarët shqiptarë dhe i barazon ata me qytetarët evropianë. Në të ardhmen do t’u duhet atyre për udhëtime në të katër anët. Pra, nuk është në një dokument dosido, siç duan ta bëjnë. Megjithatë, ajo që unë dua të them është se çdo ditë po aplikojnë rreth 13 mijë qytetarë. Unë ju siguroj se nuk do të ketë qytetar shqiptar që dëshiron të votojë dhe nuk do të mund të marrë kartën e identitetit. Unë vetë kam dashur ta marr që në fillim, por nuk e kam marrë ende”, vuri në dukje Berisha.
Shefi i qeverisë shtoi në vijim se u ka kërkuar të gjitha vendeve të sjellin sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme.
“I garantova miqtë e mi që zhvillimi më kryesor është të nderoj votën e qytetarëve të mi”, tha Berisha.
Kryeministri iu referua edhe shkrimit të botuar në “Financial Times”, që e rendiste Shqipërinë dhe Azerbajxhanin si dy vendet më të mbrojtura nga kriza në Kontinentin Evropian.
“Natyrisht, në problematiken e diskutuar me kolegët, ishte dhe çështja e krizës ekonomike globale”, theksoi kryeministri Berisha.
Mirëkuptim i plotë për aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat në BE
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se gjatë punimeve të Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), në Bruksel, ka gjetur mirëkuptim të plotë për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. “Unë mund t’ju them se gjeta mirëkuptim të plotë, sepse unë, e kam deklaruar dhe më parë, dhe qeveria ime nuk ndërmerr hapa të pa menduar. Por, unë kam qenë dhe i mbetem për përballje me negociata. Në shtëpinë e tjetrin nuk mund të hysh pa trokitur. Ky është një rregull dhe unë them se e kam zhvilluar shumë mirëkuptimin, duke e kompletuar procesin si një proces, dhe jo si një moment të menjëhershëm”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se “gjatë fjalës time paraqita problematikën me interes për Shqipërinë”.
“Unë mund t’ju them se për disa çështje të diskutuara, të cilat mbuluan një spektër të gjerë, që nga kandidimi i Shqipërisë deri tek fushata zgjedhore dhe thirrjet, pasi këtu jemi në familje. Po në disa aspekte të tjera të diskutuara gjatë muajve të fundit në Shqipëri, unë gjeta mirëkuptim të plotë”, u shpreh kreu i qeverisë Sali Berisha.