E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian, propozim të ri për heqjen e vizave - Shqipëria të përfshihet në listën e bardhë të Shengenit

Europarlamentarja sllovene, Tanja Fajon prezanton në PE, një projekt-raport, për përfshirjen e Shqipërisë në hapësirën e lëvizjes së lirë


Shtohen presionet ndaj Komisionit Evropian, për ndasitë e çuditshme dhe burokratike, që zyrtarë të Brukselit, po luajnë në rajonin e ngushtë të Ballkanit. Pas diskutimeve dhe kritikave të ashpra nga Parlamenti Evropian dhe pas garancive që dha kryeministri suedez, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, vjen edhe reagimi nga radhët e euro-parlamentarëve, të cilët kundërshtojnë ndjekjen e një politike të tillë, atë të ndarjes së rajonit. Në këtë drejtim, gjatë një interviste për BBC, euro-parlamentarja sllovene Tanja Fajon, informon rreth një projekt-raporti të saj, që pritet të kalojë për miratim në parlamentin evropian, ku thekson se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, duhet të përfshihen në listën e vendeve të Ballkanit, që presin heqjen vizave. Sipas projekt-raportit të saj, përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjës në listën e bardhë të Shengenit do të ndikojë në zbatimin e disa reformave të Bashkimit Evropian dhe rritjen e shpejtë të këtyre dy vendeve, duke e shmangur kështu nga margjinalizimi, këto vende të rajonit. Ajo beson se projekti do të ketë një shumicë shumë të fuqishme në PE, do të gjejë konsensusin edhe të Komisionit dhe Këshillit, dhe do të mund të ndryshohet propozimi i korrikut dhe ky do të ishte një rezultat me të vërtetë pozitiv për Bosnjën dhe Shqipërinë. Votimi i parë i Parlamentit Evropian për të gjitha këto amendamente do të jetë më 15 tetor. Çfarë propozon Parlamenti Evropian për vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën? Në projekt-raportin tim unë po përpiqem të shtoj edhe Bosnjë e Hercegovinën dhe Shqipërinë në rregullat e propozuara nga Komisioni Evropian në korrik, kur këto dy vende u lanë jashtë. Projekti i propozimit që unë kam paraqitur në komitetin e Parlamentit Evropian fillimisht mirëpret vendimin e Komisionit Evropian për heqjen e kërkesave për viza për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, duke filluar nga janari i vitit 2010, por në projekt-raportin tim unë po përpiqem të shtoj edhe Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën në rregullat e propozuara nga Komisioni Evropian në korrik, kur këto dy vende u lanë jashtë. Unë besoj se është gjithashtu e nevojshme për t’u dërguar një mesazh shumë të fortë politik qytetarëve të këtyre dy vendeve se ato nuk janë lënë pas, dhe se kur qeveritë e tyre do të plotësojnë kushtet e nevojshme që kanë mbetur, të cilat kërkohen nga Komisioni Evropian, ne nuk do të humbasim kohë shtesë dhe Komisioni menjëherë të bëjë vlerësimin dhe të përpiqet të heqë kërkesën për viza. Pra, ne po përpiqemi që të mos humbasim kohë për të ndryshuar rregullin që tashmë ekziston. A mendoni ju se ka ndryshuar diçka nga qeveritë e Shqipërisë dhe Bosnjës lidhur me këtë? Unë kam informacione se të dy qeveritë - në i informacionet e reja për përparimin e tyre që kanë paraqitur tek Komisioni Evropian - ato në muajin e fundit apo në javët e fundit kanë arritur një përparim të rëndësishëm. Unë shpresoj shumë se Komisioni do të arrijë në të njëjtin përfundim dhe në fakt shpejt do të bëjë një vlerësim të përparimit që kanë bërë të dy vendet. Nëse është ashtu, se të dy vendet gati i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga Komisioni Evropian, nuk shoh asnjë arsye pse Komisioni të mos bëjë menjëherë vlerësimin që ne t’u hapim derën këtyre dy vende pa vonesa të mëtejshme. Duket që Komisioni nuk është shumë i kënaqur me këtë propozim. A ka ndonjë mundësi që ata ta injorojnë atë? Sigurisht që ajo që po bëjmë ne nuk është e detyrueshme për Komisionin apo Këshillin (e Ministrave). Ata mund ta injorojnë, siç thoni ju, por nëse ka një mbështetje të fuqishme dhe të madhe në Parlamentin Evropian, kjo do të thotë gjithashtu se do të ketë një presion të madh mbi Komisionin dhe Këshillin. Unë shpresoj shumë se në fund ne do të kemi një marrëveshje të përbashkët, sepse debati gjithnjë tregon - jo vetëm sot por edhe javën e kaluar - se të gjitha institucionet duan me të vërtetë të përshpejtojnë afrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kuadër, edhe regjimin pa viza. Por ne kemi të njëjtin qëndrim, që ishte i qartë përsëri sot, se ajo që ndryshon midis nesh është vetëm mënyra legjislative, pra nëse ne biem një farë mënyre dakord se nuk duam të humbasim kohë shtesë, ne do të ishim shumë të kënaqur për këtë. Nëse Komisioni Evropian e pranon propozimin tuaj, kur do të jetë koha që ky regjim pa viza do të zbatohet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën? Kjo varet sigurisht edhe nga qeveritë e të dy vendeve. Së pari, ato duhet të plotësojnë kërkesat. Ne nuk po u japim këtyre vendeve, një biletë gratis, nëse do të shprehesha kështu. Kjo thjesht do të thotë se në kohën kur ato do të plotësojnë kushtet bazë dhe Komisioni do të japë vlerësimin pozitiv, ato do të përfshihen menjëherë në Rregullin e Komisionit, që do të thotë se ne nuk do të kalojmë përsëri nëpër të gjithë procesin legjislativ, edhe në Parlamentin Evropian. Veçanërisht nëse bie vitin tjetër, kjo procedurë mund të jetë shumë më e gjatë sepse do të përfshihet në një vendim-marrje së bashku me Këshillin. Pra në fakt, për ta thënë shkurt dhe qartë, nëse të dy vendet i plotësojnë kërkesat shpejt, atëherë e gjithë procedura mund të jetë e tillë që ato madje mund të arrijnë edhe tre vendet e tjera. Parlamenti Evropian propozon gjithashtu përfshirjen edhe të Kosovës në këto masa. Cila është perspektiva që Kosova të përfshihet në planet e BE-së për të marrë një regjim pa viza? Besoj se ka ardhur koha që ne të përpiqemi ta angazhojmë Kosovën në procesion e liberalizimit të vizave, prandaj unë propozoj në një nga amendamentet, për të gjetur një mënyrë se si të fillojmë një dialog për Kosovën pa paragjykuar statusin, pra duke konsideruar se cilat vende njohin tashmë pavarësinë e Kosovës, që është 22, dhe ato që nuk e kanë bërë këtë deri tani. Pra, është më shumë e rëndësishme që duhet të japim një mesazh të fuqishëm politik që Kosova as nuk është lënë pas, dhe as nuk është një vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor, që është shkaktuar nga mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare, por që ne duhet të gjejmë një zgjidhje se si të hapim dialogun gjithashtu Ju jeni raporterja e Komitetit të Parlamentit Evropian, cila është procedura që do të ndiqet me këtë propozimi dhe në çfarë kuadri kohor? Unë jam reporterja e Parlamentit Evropian, që do të thotë se unë përgatita raportin për amendimin e Rregullit të Komisionit Evropian (për vizat). Ne do të kemi votimin e parë të të gjitha këtyre amendamenteve që folëm më 15 tetor, pastaj kemi votimin në seancën plenare në nëntor, që është ende brenda kohës së domosdoshme që Komisioni të hapë fillimisht dritën përfundimtare të gjelbër për Serbinë, Malin e Zi, e Maqedoninë. Por meqë ne tani jemi në mes të procedurës legjislative, nëse propozimi ynë, projekti që po përgatis unë, do të ketë një shumicë shumë të fuqishme, dhe do të gjejë konsensusin edhe të Komisionit dhe Këshillit, atëherë ne ende mundemi ta ndryshojmë propozimin e korrikut dhe ky do të ishte një rezultat me të vërtetë pozitiv për Bosnjën dhe Shqipërinë. Propozimet e eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon -Shqipëria e Bosnja të mos u nënshtrohen procedurave të gjata legjislative edhe njëherë, por ato të përfshihen në regjimin pa viza automatikisht sapo Komisioni të jetë i kënaqur se kanë plotësuar kushtet -Nëse të dy vendet i plotësojnë kërkesat shpejt, atëherë e gjithë procedura mund të jetë e tillë që ato madje mund të arrijnë edhe tre vendet e tjera. -Nga informacionet që disponoj, këto dy vende kanë bërë përparime të konsiderueshme në plotësimin e kushteve -Komisioni t’i japë edhe Kosovës një pespektivë të qartë për përfshirjen në këtë regjim

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›