E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti bullgar miraton hyrjen e Shqipërisë në NATO

Autori i Lajmit: red.
Parlamenti Bullgar ka ratifikuar dje Protokollin për hyrjen e vendit tonë në NATO. Burime zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë thanë se ratifikimi është bërë gjatë vizitës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në këtë vend. “Është nder dhe një privilegj i veçantë, për mua, t i adresohem Parlamentit Bullgar pikërisht sot, në një ditë të veçantë, një vend tjetër mik sapo ka ratifikuar Protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO”, - tha Kryetarja e Parlamentit Shqiptar duke iu drejtuar deputetëve bullgarë. Topalli gjithashtu shtoi se hyrja e Shqipërisë në NATO bën që Shqipëria t i afrohet, një hap më pranë, anëtarësimit me të drejta të plota në këtë Aleancë të mrekullueshme të lirisë. Ajo tha se Shqipëria, Bullgaria dhe vendet e tjera të territorit që njihet me emrin e maleve tuaja Ballkan, kanë qenë gjatë, pjesë organike e të njëjtit komunitet romak, bizantin, bullgar, osman dhe së fundi, fatkeqësisht, edhe atij komunist. “Aktualisht, Shqipëria është shumë pranë anëtarësimit në NATO, ajo është në mbyllje të ciklit të ratifikimit nga vendet e BE-së të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian, gjë që, pa dyshim, përbën një hap thelbësor drejt anëtarësimit të saj në BE”,- deklaroi Topalli, para deputetëve bullgarë. “Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe rreth 95 për qind e popullsisë, sepse si pjesë e tyre, shqiptarët konsiderojnë të ardhmen të sigurt dhe të begatë”, - përfundoi Topalli. Më pas Parlamenti Bullgar aprovoi me 160 vota pro hyrjen e Shqipërisë në NATO.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›