Parlamenti i Irakut vendos sot për praninë e huaj në vend
Bagdad- Parlamenti i Irakut mund të votojë sot lidhur me një propozim për t'i dhënë trupave nga Britania, Australia dhe një numri vendesh të tjera leje për të qëndruar në vend pasi një mandat i Kombeve të Bashkuara përfundon në fund të vitit, bënë të ditur burime të parlamentit.Të shtunën e shkuar, Parlamenti hodhi poshtë një ligj që kishte sanksionuar praninë e ushtarëve të huaj. "Unë mund të them se ekziston 90 për qind mundësia që votimi të bëhet sot. Dje thuajse të gjitha blloqet politike ranë dakord për këtë", tha Jaber Habeeb Jabir, deputet i Bllokut të Pavarur të Aleancës shiite, që është pjesë e koalicionit.
Për shkak të kohës së shkurtër të mbetur deri në përfundim të vitit, fraksionet në parlament thanë se organi kishte të ngjarë të nxirrte një rezolutë të përkohshme, memorandum ose madje një ligj që u lejon forcave të qëndrojnë në Irak derisa të nënshkruhen traktate apo marrëveshje.
Projektiligji do të mbulojë praninë e 4 100 trupave britanike, të vendosura rreth qytetit të Basrës dhe dislokime më të vogla në numër të trupave nga Australia, Rumania, Salvadori dhe NATO. Sipas legjislacionit, forcat e huaja duhet të ndalojnë operacionet luftarake në fund të majit dhe të tërhiqen përfundimisht nga fundi i korrikut, pak më shumë se gjashtë vjet pas pushtimit të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar Sadam Hyseinin.