E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti miraton me 74 vota ligjin antimafie

Miratohet 74 vota pro ligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9284, datë 30.09.2004 ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar‘, ose i cilësuar ndryshe si ligji antimafie. Në seancën e mbrëmshme, diskutimi mbi këtë draft është kthyer në një sfilatë akuzash ndaj opozitës nga një pjesë e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike, ku këtë seri e ka mbyllur Kryeministri Berisha. Duke filluar që nga kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe disa deputetë të tjerë, e kanë cilësuar miratimin e këtij ligji si "një grusht ndaj Edi Ramës dhe përkrahësve të tij mafiozë". Kryeministri Sali Berisha, duke folur në Parlament për miratimin e ligjit antimafia, është shprehur se ky është një nga ligjet më me rëndësi që po miratohet pas moratoriumit të skafeve. Berisha ka akuzuar edhe një herë Edi Ramën se i ka shprehur solidaritet kupolës së mafies. Berisha i ka kujtuar liderit opozitar se: "Koha kur t‘i mbaje peng procesin zgjedhor duke dhënë leje ndërtimi për klanin mafioz ka marrë fund. Ligji do të veprojë me të gjithë forcën e tij, pa asnjë ngjyrë partiake dhe politike". Kryeministri shqiptar ka akuzuar edhe mbrëmë në sallën e Parlamentit disa deputetë të Partisë Socialiste, duke deklaruar se do t‘i çonte në burg dhe ata nuk mund të fshihen pas imunitetit parlamentar. "Rama mos ki merak, se ashtu siç vendosa pas hekurave Aldo Baren, Lul Berishën, ashtu do të bëj edhe me kupolën, qofshin me imunitet, qofshin pa imunitet, deklaroi Kryeministri". Berisha e ka cilësuar miratimin e ligjit antimafie me aq rëndësi sa edhe moratoriumi kundër skafeve, i cili u miratua në fillim të mandatit të parë të qeverisjes së PD-së.

"Ne bllokuam trafiqet, çmontuam bandat më të rrezikshme të Europës, vumë përpara drejtësisë me mijëra shkelës të ligjit, por ne nuk çmontuam mafien, sepse duhet të analizonim probleme të tjera. Sot, Edi Rama i shprehu solidaritet kupolës së mafies me të cilët ndau 570 ml euro", tha kreu i qeverisë. Akuzat e Berishës vazhduan për deputetin socialist Tom Doshi, i cili, sipas Kryeministrit, i ka vënë revolen pas veshit një deputeti të PS-së. "Opozita dhe deputetët e saj janë të nderuar, por jo ata që i vënë koburen pas veshit deputetëve, ata janë mafia dhe me ta përballja është jetike në këtë vend", u shpreh Berisha me tone të larta. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Basha, ka shkuar më larg në sulmet e tij ndaj liderit të opozitës, Edi Rama, duke e cilësuar atë si "skizofren frenetik". Ligji që u miratua në seancën e djeshme i jep liri prokurorisë që të kërkojë në gjykatë sekuestrimin e pasurisë së një qytetari, vetëm nëse ka dyshim të fortë dhe tregues ndaj tij se këto pasuri i ka vënë nga aktivitetet e paligjshme si krimi i organizuar. Provën për të vërtetuar të kundërtën i takon vetëm qytetarit që mund ta bëjë këtë në seancën gjyqësore që drejtohet vetëm nga një gjyqtar. Ky ligj është kundërshtuar fuqishëm si nga opozita, por edhe nga shoqatat e ndryshme të gjyqësorit. Ka shumë gjasa që edhe ky ligj të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›