Parlamenti miraton rezolutën, hapet rruga për aplikimin si vend kandidat për në BE

Dokumenti inkurajon qeverinë shqiptare që, në momentin e përshtatshëm dhe në konsultim me vendet anëtare të BE-së, të paraqesë aplikimin e Tiranës zyrtare për të marrë statusin e vendit kandidat në këtë organizëm ndërkombëtar.
TIRANE - Me 91 vota pro asnjë kundër, Parlamenti miraton projektrezolutën për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Në këtë mënyrë Kuvendi, ndezi dritën jeshile duke i dhënë qeverisë shqiptare të drejtën për të paraqitur në mënyrë zyrtare, kërkesën për statusin e vendit kandidat, pranë Presidencës çeke, për Bashkimin Evropian.
Por draftit, i cili mori konsensusin e të gjithë faktorit politik, nuk iu shtuan propozimet e paraqitura nga opozita të mërkurën në komisionin e integrimit, mes të cilave përfshihej dhe paraqitja e një programi pune nga ana e ekzekutivit me kërkesat që mbeten prioritet i angazhimeve të qeverisë. Në këto propozime që nuk u përfshinë, ishin infrastruktura zgjedhore, liria e medias, ajo e pronave, liberalizimi i vizave si dhe pavarësia e organeve të drejtësisë.
Varianti që tashmë do t’i dorëzohet përfaqësuesve të Presidencës çeke, ka në brendësi të tij, vetëm ndryshimet që iu bënë rezolutës në komisionin e jashtëm, mes të cilave përfshihet dhe një pikë, sipas të cilës nuk mund të detyrojë qeverinë për të përshpejtuar afate kohore për bërjen e kërkesës zyrtare për marrjen e statusit.
Pjesë e propozimeve të bëra nga anëtarët e komisionit të jashtëm në këtë rezolutë, ishte dhe një pikë e rëndësishme e ardhur nga radhët e republikanit Mediu sipas, të cilit anëtarët e kabinetit qeveritar, madje dhe vetë kryeministri duhet të raportojë në mënyrë periodike para komisionit mbi ecurinë e reformave të ndërmarrë në kuadër të anëtarësimit në BE.
Pas këtij aksioni politik të ardhur nga radhët e maxhorancës, i cili gjeti dhe konsensusin e opozitës tashmë përpara qeverisë shqiptare del një tjetër angazhim serioz, kusht kryesor ky, përpara ndërkombëtarëve, ai për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e konform standardeve më 28 qershor.