Hapja e dosjeve, e majta refuzon shansin e fundit për t’u divorcuar nga e kaluara

Ligji hyri dje në fuqi, PS sot ankimon në Gjykatën Kushtetuese
TIRANE - Partia Socialiste ka bërë dje me dije se ka mbledhur 28 firmat e nevojshme të deputetëve për të ankimuar sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit që hyri një ditë më parë në fuqi. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, i është përgjigjur negativisht ftesës së homologut të saj demokrat Astrit Patozi për marrjen pjesë në këtë proces historik të divorcit të shoqërisë shqiptare nga e kaluara diktatoriale komuniste. “Jam natyrisht e çuditur, por edhe e keqardhur kur dëgjova sot kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike i cili na bëri një ftesë për të reflektuar lidhur me ligjin e dosjeve. Jam e çuditur dhe e keqardhur sepse kjo ftesë vjen një ditë pas deklaratës së BE, pra të 27 vendeve, pas deklaratave që kanë paraprirë këtë deklaratë, pra deklaratave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Këshillit të Evropës, të OSBE, duke na ftuar që të bëhemi ortakë në një shkelje kushtetuese, duke na ftuar për t'u bërë ortakë për t'ju kundërvënë gjithë partnerëve tanë euroatlantikë. Deklarata e BE dje fillonte me kërkesën për konsensus politik. Ajo çka po bëni është hedhja në erë e konsensusit dhe po futni në krizë parlamentin”, deklaroi dje Leskaj.
Nga ana tjetër, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se deklarata e Bashkimit Evropian synonte që të rrëzonte ligjin e lustracionit, sipas Braçes “për të mbrojtur hapur pavarësinë e gjyqësorit”.
Ndërkaq edhe Lëvizja Socialiste për Integrim përmes deputetit Spartak Braho, ka qenë në të njëjtën linjë me PS
Gjithsesi demokratët kanë paralajmëruar se nuk do të njohin çfarëdolloj vendimi të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë ankimim për sa kohë në bazë të një rezolutë të fundit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, anëtarët e saj kanë konflikt të pastër interesit me ligjin e lustracionit.