E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti turk modifikon ligjin ushtarak që favorizonte puçet e shtetit

ANKARA-Parlamenti turk shqyrtoi gjatë mbrëmjes një modifikim të rregullores së brendshme të ushtrisë, të përdorur shumë herë për justifikimin e puçeve ushtarake.

Modifikimi, i paraqitur nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, propozon rishikimin e nenit 35 të ligjit mbi funksionimin e ushtrisë, të shpallur pas puçit të shtetit në vitin 1960, sipas të cilit detyra e ushtrisë është mbrojtja e Republikës së Turqisë.

Në bazë të këtij neni, ushtarakët turq kanë justifikuar dy puçe shteti, në vitin 1971 dhe në vitin 1980, me pretendimin se autoritetet civile nuk mund të mbrojnë parimet kushtetuese.

Versioni i ri i ligjit i votuar mbrëmë kufizon fushat e ndërhyrjes për forcat e armatosura, duke specifikuar se detyra e tyre është mbrojtja e qytetarëve turq nga rreziqet e jashtme, sprapsja efikase e tyre dhe pjesëmarrja në operacionet e jashtme me miratimin e parlamentit.
Kjo dispozitë ligjore është pjesë e projektligjit që pritet të votohet në orët e mbrëmjes nga parlamenti turk.

Ushtria turke, si mbrojtëse e vetëshpallur e vlerave repulikane, ka realizuar tre puçe shteti dhe ka detyruar një qeveri me prirje konservatore islamike të dorëhiqet në vitin 1997.

(d.b/BakanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›