Trepça ’89 rikthen Sejdiun
Pas largimit të Rafet Prekazit, drejtuesit e Trepçës ’89 kanë reaguar menjëherë, duke e gjetur zëvendësuesin e tij. Në fakt, ‘Xehetarët’ e kanë rikthyer trajnerin Gani Sejdiu, i cili do t’i udhëheqë ata deri në fund të sezonit.
Ish trajneri i Trepçës dhe i Kosovës së Vushtrrisë e ka nisur punën me ekipin të enjten para sfidës së rëndësishme që do ta presë në fundjavë me Hysin. Ai thotë se e njeh ekipin dhe synon një pozitë sa më të lartë në tabelë, pse jo edhe vetë kreun e tabelës.
“Trepça ’89 ka ekip stabil, relativisht të ri. I ka marrë disa lojtarë, por edhe kanë shkuar ca të tjerë. Më ka lënë përshtypje të mirë ndeshja me Besën. Këtë ekip e njoh, pasi që kam punuar më shumicën prej lojtarëve. Përforcimin Samir Sahiti e njoh, sepse kam punuar me të, ndërsa mendime të mira kam edhe për Lorik Maxhunin. Ndërkaq, për Isuf Llumnicën nuk ia vlen të diskutohet, pasi dihet kualiteti i tij”, theksoi fillimisht Sejdiu për Express.
“Ekipi ka bërë përforcime të mira. Fondi nuk është i mjaftueshëm për të arritur suksese të mëdha, por ne nuk i kemi prioritet trofetë, nuk kemi ngarkesa. Sidoqoftë, tradita e klubit dhe mentaliteti im fitues na shtyn të kërkojmë ta arrijmë maksimumin me atë potencial që e kemi. Natyrisht, objektiv yni është kreu i tabelës. Me një punë të mirë besoj se do ta themi fjalën kryesore në Superligë. Na mbetet të punojmë, vetëm të punojmë”, vazhdoi Sejdiu, i cili tregoi se mitrovicasit kanë plane afatgjate dhe nuk po mendojnë vetëm për rrjedhën e këtij sezoni.
Ai do të shikojë se si do t’i ecin punët me ekipin gjelbër e bardh në pjesën e parë të sezonit. Pastaj, nëse shfaqet nevoja e ndonjë përforcimi gjatë afatit kalimtar të janarit, atëherë fituesi i Kupës dhe Superkupës së Kosovës do të reagojë.
Trepça ’89 e nisi mirë sezonin, duke e mposhtur Prishtinën në ndeshjen e Superkupës, kurse në xhiron e parë të Raiffeisen Superligës së Kosovës, të zhvilluar të martën, e mundi Besën me rezultat 2:0.