Ilmi Lumani, sulmuesi veteran kërkon një Gramoz fitues
Nga KRISTI LILO
Kolonjarë edhe dje kanë zhvilluar dy seanca në terrenin e stadiumit, ku grupi i lojtarëve çdo ditë ka rritje. Futbollistë nga qyteti i Korçës dhe Pogradecit, të cilët nuk kanë gjetur vend në skuadrat e qyteteve të tyre kërkojnë të jenë pjesë e Gramozit. Dy emrat e fundit që kanë mbërritur në Ersekë vijën pikërisht nga Korça. I pari është Ledion Rexhda dhe luan si qendërmbrojtës. Ai është i datëlindjes 22.7.1993 dhe sezonin e kaluar ka qenë kapiteni i 19vjeçarëve të Skënderbeut. Ndërsa lojtari tjetër është Ilmi Havolli, që luan si mbrojtës i majtë dhe i përket datëlindjes 1992. Megjithatë, merkatoja e kolonjarëve nuk mbyllet këtu, pasi priten dhe dy lojtarë të tjerë. Duket se me afrimet e shumta cilësore gjatë kësaj periudhe, Gramozi pas përfundimit të këtij sezoni do të jetë përsëri pjesë e Kategorisë së Parë. Ndërkohë, sulmuesi kryesor i ekipit, Muarem Lumani, i cili në sezonin 2005-2006 është shpallur golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Dytë shprehet: Jemi në mbyllje të javës së tretë të përgatitjeve dhe deri tani çdo gjë ka shkuar mjaft mirë. I kemi përballuar me sukses ngarkesat e këtyre ditëve dhe për më tepër në ekip nuk ka pasur të dëmtuar, pra të gjithë futbollistët janë në formën optimale. Gjatë këtij sezoni nuk duhet të përsërisim gabimet e sezonit të kaluar, kjo edhe për të mos zhgënjyer tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Duhet të tregohemi sa më të qetë psikologjikisht dhe të aftë për të fituar takimet që do të zhvillojmë me njëherë pas startit të kampionatit më 1 shtator. Kam bindjen se Gramozi do ta arrijë një objektiv të tillë, pasi vetëm kështu do të ngjitemi në të Parën.
