Qeveria shqiptare, negociata me gjermanët për aeroportin e Sarandës
“Ia vlen të paguash penalitetin sesa të mbash peng zhvillimin e vendit me një aeroport të vetëm”, - kjo është motoja e qeverisë shqiptare, e cila prej kohësh ka nisur negociatat me "Tirana International Airoport" që kontrollohet 78.7 për qind nga gjermanët, me synim lejimin e ndërtimit të një aeroporti pasagjerësh në jug të vendit. Plani i palës shqiptare për Aeroportin e Kukësit është qëndrimi i tij në shërbim të mallrave, ndërsa në jug të vendit, konkretisht në Sarandë, mendohet të ndërtohet një aeroport i ri, në shërbim të zhvillimit të turizmit. Kontrata që ka hyrë në fuqi në pjesën e parë të vitit 2005, nuk lejon aktivitetin e një aeroporti tjetër, përveç atij të drejtuar nga pala gjermane, Aeroportit "Nënë Tereza". Për 20 vjet me radhë, kontrata koncesionare ia jep të drejtën e operimit vetëm "Hochtief AirPort", që zotëron pjesën më të madhe të aksioneve. Ministria e Transporteve konfirmon faktin e nisjes së negociatave për rishikimin e një pjese të kontratës, firmosur në maj 2005. Gjatë takimit të zhvilluar me përfaqësues biznesesh greke, ministri Olldashi konfirmoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare për ta ndryshuar atë pikë të kontratës që ndalon operimin e një aeroporti tjetër në Shqipëri. "Negociatat po ecin normalisht, për këtë qëllim po asistohemi nga një kompani konsulence në mënyrë që penaliteti nga prishja e kontratës të jetë sa më i vogël", - është shprehur pak kohë më parë kreu i Transporteve. Në këtë pikë, Olldashi u ka bërë thirrje investitorëve grekë që ta shikojnë si një mundësi reale projektin e ndërtimit të Aeroportit të Sarandës, që do t‘i vijë në ndihmë edhe ishullit grek të Korfuzit gjatë sezoneve turistike.
3 Dhjetor 2008