Bojkoti, socialistët vendosin të dielën
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste pritet të thyej bojkotin për situatën e krijuar në Shkodër. Eksponentë të ndryshëm të Partisë Socialiste e kanë pohuar publikisht këtë gjë. Megjithatë vendimi përfundimtar pritet të merret ditën e diel kur do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste ku do të diskutohet mbi shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Por siç u pohua pasditen e djeshme nga kryesocialisti, Edi Rama në këtë Asamble pritet të diskutohet gjerësisht dhe për përmbytjet në Shkdoër. Nga ana tjetër thyerja e bojkotit është paralajmëruar nga deputetët Ilir Beqja dhe Eglantina Gjermeni. Qëndrimet e tyre janë pasuar nga ato të Arta Dades dhe Sajmir Tahirit të cilët kanë kontestuar letrën e Topallit duke e akuzuar atë për diversione.
Rama
“Ndërkohë që ka mbytur Veriun me ujin e keqqeverisjes, që vetëm si sasi uji e dalë jashtë kontrollit ishte një vlerë e humbur plot 35 milionë dollarë nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve, pushteti i korruptuar i Sali Berishës, jo vetëm ka gënjyer në mënyrën më skandaloze shqiptarët për të gjitha faktet e shifrat që lidhen me digat e përmbytjes, por edhe po vazhdon të akuzojë, shpifë e madje bëjë diversion të përditshëm me forma sa vulgare, aq edhe qesharake, ndaj Partisë Socialiste”, - tha dje Rama pas letrës së kryeparlamentares ndërsa paralajmëroi se PS nuk do të ndryshojë qëndrim. “PS nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj, të prerë e të qartë, për të mos u bërë fasada demokratike e një Parlamenti që ska kurajon të hetojë zgjedhjet nga ka dalë duke hapur kutitë e votimeve mbi ta cilat rri”, - tha ai. Rama shtoi se shtyrja e përkohshme e axhendës së betejës opozitare dhe shtyrja një javë edhe e mbledhjes së planifikuar të Asamblesë Kombëtare për krizën e demokracisë e të shtetit të së drejtës si rrjedhojë e katastrofës së shkaktuar në Veri ishin një provë e qartë se PS beson në një politikë të re dhe se radha e punëve përcaktohet në bazë të interesave të njerëzve. Rama më tej akuzoi mazhorancën se po përpiqet të fshehë provat për përmbytjet në veri por ai shtoi se është e kotë sepse nuk janë bindur të gjithë për të falsifikuar dokumentet. “Dikush iu ka dalë nga rreshti, teksa të zënë në panikun e hajdutit që i bie valixhja e grabitur nga dora e i hapet në mes të bulevardit, përgënjeshtronit paturpësisht jo vetëm opozitën, po edhe njëri-tjetrin, për faktet e shifrat rrëqethëse që janë tanimë në duart tona”, - deklaroi kreu i PS-së. Ai tha se në asamble do të bëhen publike gjithë dokumentet. “Do ti ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin, ditën e dielë në orën 10.30, prezantimin e provave të fajësisë së plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella. Kemi dëgjuar e do të dëgjojmë shumë për Shqipërinë që ndryshon, të dielën paradite në orën 10.30, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare PS do tu tregojë shqiptarëve pse sot e gjithë ditën Shkodra noton. Jo për tu argëtuar, po për të shpëtuar”, - përfundoi Rama.
Beqja e Gjermeni
Ndërkohë që deputetët socialistë, Ilir Beqja dhe Eglantina Topalli kanë paralajmëruar bojkotin e opozitës. “Ne do të hyjmë në Kuvend, do të jemi aty, nëse do të mbahet një seancë për sigurinë dhe gjendjen e krijuar nga përmbytjet në Shkodër dhe në Lezhë”, - është shprehur Ilir Beqja, nënsekretar i PS-së për Programin Politik, njëkohësisht deputet i kësaj partie. Po dje ky qëndrim është përsëritur nga deputetja e selisë rozë Eglantina Gjermeni tha se vëmendja maksimale duhet përqendruar tek përmbytjet dhe se grupi kuvendor socialist nuk ndryshon vendimin nga bojkoti. “Vetëm nëse ka një seancë të jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve. Vendimi duhet të jetë institucional edhe politik i gjithë grupit parlamentar të Partisë Socialiste”, -tha deputetja socialiste Gjermeni. Ndërkohë që Erjon Brace siguron se edhe në rast betimi në Kuvend, bojkoti do të vazhdojë sërish i pandryshueshem.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2010