E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë pre e alkoolit, 95% e studentëve konsumatorë të rregullt të pijeve alkoolike

Studimi i ISHP, ulet mosha e konsumatorëve të alkoolit
Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë rezultate alarmante lidhur me konsumin e alkoolit në vendin tonë. Ajo çka i shqetëson më shumë specialistët e ISHP-së por që në fakt duhet ti shqetësojë të gjithë është numri i jashtëzakonisht i lartë i përdoruesve si dhe mosha mesatare e tyre. Vendi ynë ka një konsumim të lartë të pijeve alkoolike për frymë. Madje, tashmë nuk po konsumohet vetëm rakia që është pije alkoolike tradicionale, por edhe pije të tjera alkoolike. Por, ajo që shqetëson më shumë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik është ulja e moshës së konsumit të alkoolit. Kështu, ky institut ka realizuar studimin për konsumimin e pijeve alkoolike te studentët e kampuseve universitare në Tiranë dhe të dhënat rezultuan shumë shokuese dhe tronditëse për të gjithë. Specialistët e ISHP-së theksojnë se pijet alkoolike paraqesin një rrezik serioz për shëndetin e të rinjve, pasi mungon vëmendja e duhur për sigurinë e pijeve alkoolike. "Prevalenca e konsumimit të pijeve alkoolike te studentët është në shifra të larta. Ky është problem shqetësues jo vetëm për ata dhe familjet e tyre, por për gjithë shoqërinë",- pohojnë specialistët e ISHP-së. Konsumi i alkoolit pa kriter dhe pa masë nga të rinjtë sjell pasoja të rënda si për individin ashtu edhe për të gjithë shoqërinë. Një tjetër rrezik që i kanoset shoqërisë është se numri i lartë i konsumatorëve të alkoolit dhe që vjen çdo vit në rritje ka shumë mundësi që ta rrisë edhe më tej numrin e konsumatorëve. Kjo pasi ato persona që konsumojnë rregullisht alkoolin rrethohen edhe nga persona që nuk e konsumojnë atë por që duke ndenjur gjatë në ambiente të tilla mund të nisin ta konsumojnë atë dhe madje edhe rregullisht.
59% e studentëve rezultuan konsumatorë të rregullt të alkoolit
Studimi mbi përdorimin e pijeve alkoolike nga studentët e universiteteve të Tiranës u realizua këtë vit dhe objekt studimi u bënë 400 studentë, mosha mesatare e të cilëve është afërsisht 21 vjeç. "Studentët kishin një prejardhje nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe plot 59 për qind e tyre deklarojnë se janë konsumatorë të rregullt të pijeve alkoolike",- pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shtuar se kjo shifër është vërtet problematike. Ndërsa, sa u takon arsyeve se përse janë konsumatorë të rregullt të pijeve alkoolike, studimi tregon se 71 për qind e studentëve kanë deklaruar se e konsumojnë për qejf, ndërsa 11 për qind e tyre referojnë se e konsumojë kur mërziten dhe pjesa tjetër referojnë arsye të ndryshme. "Pjesa më e madhe e studentëve pohojnë se rakia është akoma pija kryesore e shqiptarëve, por nga ana tjetër, 42 për qind e studentëve pohojnë se konsumimin e pijeve alkoolike e bëjnë me shoqërinë",- bëhet e ditur në studimin e ISHP-së.
Alkooli mund të shkaktojë vdekjen dhe intoksikimin
Numri i lartë i konsumatorëve si dhe sasia e madhe e alkoolit që ata mund të konsumojnë mund të sjellë pasoja shkatërruese për këto individë. Sipas specialistëve pohohet se përdoruesit e rregull në rastet kur tejkalojnë normën e të pirit mund të arrijnë në vetëvrasje si dhe mund të intoksikohen. Gjatë viteve të tranzicionit, pijet alkoolike, në përgjithësi, nuk kanë pasur vëmendjen e duhur në raport me cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Këtë e pohojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët theksojnë se moskontrollimi i metanolit në raki ka sjellë një impakt të rëndë në shëndetin publik, deri në rast vdekjeje dhe intoksikimesh. "Për këtë arsye, përdormi i pijeve alkoolike nga të rinjtë paraqet rrezikshmëri. Rritja e konsumit për frymë të këtyre pijeve dhe ulja e moshës së përdorimit është një sfidë për shoqërinë shqiptare",- theksojnë specialistët e ISHP-së.

************************************************************************************************
71 për qind e studentëve kanë deklaruar se i konsumojnë për qejf pijet alkoolike
11 për qind e studentëve referojnë se i konsumojë pijet alkoolike kur mërziten
42 për qind e studentëve pohojnë se konsumimin e alkoolit e bëjnë në praninë e shoqërisë

Last Updated on Tuesday, 23 June 2009 17:43

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›