E Diel, 1 Nëntor 2026

Punimet për zgjerimin e rrugës Plepa-Kavajë, pa leje ndërtimi

Punimet për zgjerimin e rrugës Plepa-Kavajë kanë filluar dhe po vazhdojnë pa leje sheshi dhe leje ndërtimi. Kur duhet edhe 10 ditë për dorëzimin e punimeve (sipas nënshkrimit të kontratës) investimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve nuk dihet se kur do të përfundojë. Ajo që është më absurde në këtë investim është fakti se investitori, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, nuk ka bërë fare kërkesë pranë komunës së Golemit dhe Rrashbullit për tu pajisur me leje sheshi dhe leje ndërtimi. Një mospërfillje e tillë dhe shkelje e hapur e ligjit është komentuar nga përgjegjësi i urbanistikës në komunën e Golemit Astrit Berati, i cili ka deklaruar se as kërkesë nuk kanë bërë për leje ndërtimi që duhet të miratohet nga KRRT, jo më të prisnin miratimin e saj. Njësia vendore, në rastin tonë komuna Golem, nuk është përfillur fare, megjithëse një pjesë e rrugës kalon në territorin tonë. Edhe pse punimet duhet të përfundojnë në datën 30 qershor, një gjë e tillë duke e pamundur. Zgjerimi i rrugës Plepa-Kavajë ka bërë që menjëherë të shkaktohen probleme të shumta në drejtim të trafikut dhe mbarëvajtjes së sezonit turistik. Ajo që drejtues të komunës kishin parashikuar se do të ndodhte për shkak të punimeve të nisura mbrapsht, kanë bërë që menjëherë të shkaktohet një kaos në trafikun e mjeteve, ndotje mjaft e madhe nga pluhuri dhe dështim për biznesin e zonës turistike. Komuna e Golemit kishte kërkuar që në fillim që të merreshin parasysh vërejtjet e saj në lidhje me projektin dhe për të shmangur një kaos të vërtetë, të merreshin parasysh disa sugjerime të saj. Shefi i Urbanistikës në komunën e Golemit Astrit Berati  është shprehur se ne kërkuam që në fillim të ndërtoheshin rrugët dytësore, më pas të bëhej zgjerimi i rrugës ekzistuese. Vetëm gjatë fundjavës së parë që pati dyndje në plazh trafiku u bllokua me orë të tëra, por do të jetë më keq kur të kthehen emigrantët për pushime. Më e keqja është se çdo ditë që kalon autostrada po nxjerr problemet që ne paralajmëruam që në fillim. Ata nuk zbatuan projektin tonë për lehtësimin e qarkullimit dhe tani kemi vetëm pluhur, kaos dhe ndotje. Aktualisht është vendosur që rruga nga 26.1 metër e gjerë që ishte planifikuar në fillim, të tkurret në 21 metra, ndërkohë që do të ndërtohen edhe rrugët dytësore. Kjo gjë duket se po vonohet tej mase, ndërkohë që rëndimi i trafikut edhe në ditët e zakonshme të javës është prezent. E gjithë gjendja e shkaktuar ka vetëm një arsye, sipas Beratit: Mospërfillja e qeverisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ndaj komunës së Golemit. Para disa kohësh pati një përplasje mjaft të madhe në lidhje me shpronësimet e banorëve të fshatit Kryemëdhenj, pasi toka që u mor për shkak të zgjerimit të rrugës, u vlerësua me çmim qesharak. Tashmë gabimet që u bënë që në fillim me projektin, ndryshimin e tij dhe vonesat për shtrimin e rrugës, po lënë pasoja të pariparueshme për biznesin që gjendet në krahun e djathtë të rrugës Plepa-Kavajë. Subjektet e shumta të hotelerisë dhe turizmit nuk kanë mundur akoma të mbledhin veten nga shkatërrimi i rrugës dhe sidomos ndërtimi i një muri prej betoni në këtë krah, i cili vende-vende është afruar shumë afër me hotelet dhe restorantet.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›