E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, kritere më të rrepta pranimi

01/04/2011  Duke filluar nga viti i ardhshëm studimet kushtëzohen nga marrja e notave kaluese në 4 provimet e maturës

Procedurat e pranimeve do të jenë të njëjta si ato që përdoren në sistemin me kohë të plotë

Duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, kriteret për pranimet e reja në programet e studimeve part-time do të pësojnë ndryshime. Burime pranë dikasterit të arsimit bëjnë me dije se kriteret e pranimit në këtë cikël studimesh do të shkojnë drejt unifikimit me kriteret që përdoren aktualisht në sistemin me kohë të plotë, duke synuar kështu edhe vendosjen e barazvlefshmërisë së diplomave të lëshuara ndërmjet dy cikleve të studimit. Kjo me qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe shmangien e prurjeve në këto programe të kandidatëve që nuk përmbushin kriteret për të gëzuar një të drejtë studimi në raport me cilësinë. Në këto kushte, duke nisur nga viti akademik që do të çelet në muajin tetor-nëntor, për pranimet në part-time do të shërbejnë si kusht edhe provimet e maturës. Kjo do të thotë se në ndryshim nga praktikat e viteve të shkuara, kandidatët që mbarojnë arsimin e mesëm e që nuk do të klasifikohen kalues në të katër provimet e maturës (dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara), nuk do të pajisen me diplomën e shkollës së mesme. Në mungesë të këtij dokumenti ata nuk do të pranohen në asnjë institucion të arsimit të lartë për të vijuar studimet, qofshin këto me kohë të pjesshme, të plotë si nëpër universitetet private, ashtu dhe për ato shtetërore. Rezultatet kaluese në provimet e maturës do të jenë kusht edhe për ndjekjen e studimeve part-time. Prej vitesh ky cikël studimesh shihej si mundësi arsimimi nga persona që nuk mund të siguronin një të drejtë studimi në sistemin e ditës. Kjo çështje në shumë raste është shoqëruar edhe me polemika lidhur me cilësinë e pranimeve. Për këtë është vendosur se brenda dy viteve pranimet në part-time do të zhvillohen me të njëjta procedura pranimi si sistemi me kohë të plotë. Kështu, sistemi i studimeve part-time nuk do të jetë më si një alternativë për maturantët që nuk plotësojnë kriteret për tu regjistruar në studimet me kohë të plotë. Kjo, pasi shumë prej nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin studimet me kohë të pjesshme, duke qenë se rezultatet e tyre kanë qenë të pamjaftueshme për të fituar studimet me kohë të plotë në degët që kanë synuar. Lidhur me ndryshimet që duhet të pësojë ky cikël studimesh, specialistët e arsimit argumentojnë se “ndonëse kjo përmbush një pjesë të kërkesës, ky nuk është qëllimi kryesor për këtë formë studimi, i cili duhet të jetë për ata studentë që nuk kanë mundësi reale për të ndjekur studimet me kohë të plotë (p.sh. për ata që janë të punësuar). Ekzistojnë edhe shqetësime të tjera në lidhje me formën e organizimit të studimeve me kohë të pjesshme. Ndaj standardet e hyrjes për studentët me kohë të pjesshme duhet të jenë të barasvlershme me ato të studentëve me kohë të plotë, përndryshe standardet, veçanërisht ato të cilësisë, do të pësojnë rënie.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›