E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaxhai gjen nipin 17-vjeçar të mbytur në Erzen

01/04/2011  Bledar Mema ishte zhdukur prej 11 ditësh, policia hetonte për rrëmbim

Viktima i mbuluar nga balta dhe shkurret në bregun e lumit

TIRANE-Bledar Mema, 17-vjeçari që prej 11 ditësh rezultonte i zhdukur është gjendur dje i mbytur në ujërat e lumit Erzen. Ka qenë xhaxha i viktimës, që pas kontrolleve të imtësishme përgjatë bregut të lumit ka mundur të dallojë trupin e nipit të tij, i cili ishte i mbuluar nga balta dhe shkurret rreth bregut të lumit. Kërkime të tilla ishin kryer dhe nga palombarët e repartit RENEA, por pa rezultat. Pas këtyre verifikimeve uniformat blu të Tiranës dhe Durrësit përjashtuan nga hetimi pistën e mbytjes në lumë të 17-vjeçarit, duke zhvilluar hetime për një rrëmbim të mundshëm të tij ose për largim me dëshirë nga banesa. Mësohet se si indicie për këtë pistë ka shërbyer dëshmia e një roje servisi, që u ka treguar hetuesve se ditën e 20 marsit një automjet i bardhë me targat e Tiranës, ka lëvizur në zonën ku ishte parë për herë të fundit 17-vjeçari Bledar Mema. Mirëpo pavarësisht kësaj dëshmie, familjarët kanë insistuar se trupi i 17-vjeçari Mema ndodhej i pajetë në lumë, dhe për këtë qëllim ata gjatë këtyre 11 ditëve kanë kryer kontrolle të vazhdueshme në lumë. Pas shumë vështirësive, dje pasdite xhaxhai i viktimës ka arritur të gjejë trupin e pajetë. Lidhur me ngjarjen është lajmëruar dhe policia, e cila pas ekspertizave të kryera ka arritur në konkluzionin se viktima është mbytur vetë në ujërat e lumit Erzen. 17-vjeçari Mema nuk kishte shenja dhune në trup, çka tregon se ai nuk është vrarë dhe më pas hedhur në lumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›