“Pronat e Fazlliç, të ribllokohen”
Trazhgim Sokolaj
Hetimet ndaj biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç për akuzën “pastrim parash” përplasin Prokurorinë me Gjykatën e Tiranës. Në kohën kur investigimet penale për biznesmenin e shumëpërfolur kishin hyrë në një fazë të qetë pas përplasjeve Prokurori-Polici, organi i akuzës është detyruar të reagojë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës në ditën e fundit të vitit të kaluar. Më 31 dhjetor 2008, Gjykata e Faktit në kryeqytet, vendosi të lirojë nga gjendja e sekuestros, që ishte vendosur nga Prokuroria, pronat e biznesmenit Damir Fazlliç të inkuadruara në dy kompani të tij, “Alfa” dhe “Crown Acquisition”. Burime zyrtare nga Prokuroria konfirmuan se ditën e sotme, ky institucion do të dorëzojë në Shkallën e Dytë të gjyqësorit, ankimin që kërkon prishjen e vendimit të dhënë më 31 dhjetor 2008. Sipas prokurorisë, vendosja e gjendjes së sekuestros ndaj pronave të identifikuara të biznesmenit Damir Fazlliç, në këtë fazë ku janë hetimet, është e ligjshme dhe e justifikuar. “Pikërisht me pronat për të cilat gjykata vendosi lirimin e tyre, shtetasi Damir Fazlliç po hetohet të ketë kryer veprime të parregullta financiare, që plotësojnë elementët e figurës së veprës penale “pastrim i produkteve të ardhura nga krimi”. Sipas Prokurorisë, sekuestroja e kërkuar prej saj ishte e përkohshme dhe derisa nuk ishte një kërkesë përfundimtare, ajo kufizohej vetëm në “ngrirjen” e pronave të 33-vjeçarit boshnjak, me qëllim që ato të mos tjetërsoheshin apo që me to të mos zhdukeshin gjurmë të veprimeve të paligjshme, së paku gjatë kohës që dosja penale është në proces hetimi, pra kur ende nuk është e qartë nëse Fazlliç e ka kryer apo jo, veprën penale për të cilën akuzohet. Prokuroria e Tiranës mësohet se u është drejtuar me letërporosi duke kërkuar informacione për shkelje të mundshme të Fazlliç, autoriteteve ligjzbatuese në Bosnjë dhe në Qipro. Në të dyja këto vende, biznesmeni i shumëpërfolur zotëron kompani biznesi, të cilat kanë pasur marrëdhënie tregtare me subjektet që Fazlliç krijoi në Shqipëri pas vitit 2005. Hetimet filluan pas dyshimeve për pastrim parash në shitjen e kompanisë “Crown Acquisition”. Ajo u dha me një çmim 1.7 milionë euro për një kompani qipriote, e cila bleu subjektin e Fazlliç, që nuk kishte raportuar asnjë xhiro, asnjë fitim madje kishte për kapital fillestar vetëm 1 mijë euro.
Gjykata: Të hiqet sekuestro nga pronat e Fazlliç
TIRANE – Hiqet sekuestro mbi pronat e Damir Fazlliç, ndërkohë Prokuroria vazhdon hetimet ndaj tij. Gjykata e Tiranës vendosi ditën e fundit të vitit 2008 të heqë masën e sekuestros vendosur ndaj pronave të biznesmenit serbo-boshnjak, Fazlliç. Gjyqtari i çështjes Artan Broci pranoi kërkesën e Fazlliç dhe avokatëve të tij, duke rrëzuar pretendimet e dy prokurorëve Besnik Cani dhe Dritan Reshka, se pronat e biznesmenit me shtetësi angleze, në Shqipëri, përdoren thjesht për pastrim parash. Broci, në vendimin e vet i quajti akuzat të paargumentuara ligjërisht dhe të pambështetura në prova, ndaj vendosi heqjen e sekuestros nga dy kompanitë “Crown Acquisition” dhe “Alfa” sh.a. Prokurorët e çështjes kanë hedhur dyshime se Fazlliç kryente pastrim parash në Shqipëri. Ata iu referuan blerjeve të dyshimta të pronave të tij në Porto Romano, ndërkohë që shoqëritë e themeluara nga Fazlliç rezultojnë me kapital zero. Po kështu pohohet se pritet apelim i këtij vendimi nga organi i akuzës. f.m.