Partia Ekologjike kundër fishekzjarrëve

Partia Ekologjike e Kosovës i ka dërguar një kërkesë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ku kërkon prej tyre të ndërmarrin masa për parandalimin e shitblerjes dhe përdorimit te fishekzjarrëve.
Sipas Partisë Ekologjik,e ndër faktorët që ndotin ajrin dhe e rrezikojnë mjedisin jetësor ne territorin e Kosovës, sidomos ne qytetet e saj, janë edhe fishekzjarrët.
Madje, sipas vlerësimit të kësaj partie, fishekzjarrët posedojnë substanca kancerogjene dhe ndotin ajrin për një kohë të gjatë, derisa qytetaret “helmohen” nëpërmjet ujit, ushqimit, frymëmarrjes dhe objekteve ku mbesin këto gjurmë.
Prandaj, sipas Partisë Ekologjike të Kosovës, është detyrë e inspeksioneve përkatëse e sidomos e Policisë së Kosovës, që ta ndalojnë shitblerjen dhe përdorimin e këtyre fishekzjarrëve në tërë Republikën e Kosovës.
"Është rekomandim i yni i qëllimit të mirë qe të konsultohen praktikat e policisë se Malit të Zi (si shtet ekologjik) në zbatimin e masave parandaluese te përdorimit te fishekzjarrëve ne çfarëdo rasti manifestiv", thuhet ndër të tjera në kërkesën e kësaj partie.