E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Edvinit, si socialistët dhe radikalët serbë, s’pranojnë pastrimin e figurave

Kryeministri Sali Berisha fton kryesocialistin të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të vjetra, sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara. Kryesocialisti doli dje para kamerave, por s’guxoi të mohonte firmën e të atit në pushkatimin e poetit Havzi Nela në vitin 1988

TIRANE – “Edi Rama po pengon Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, si tre parti që nuk e pranojnë lustracionin. Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të mbrojtur lidhjet e tij me të kaluarën e zezë”.
Kështu ka deklaruar dje Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet zëdhënësit të PD-së, pas pretendimeve të kreut të PS-së.
PD-ja, nëpërmjet zëdhënësit Gerti Bogdani, bëri të ditur dje qëndrimin e Berishës, sipas të cilit “Kryeministri fton zotin Rama të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tija të vjetra, sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara”.

Frika nga e vërteta
Në deklaratën e Kryeministrit thuhet më se ishte Edi Rama që urdhëroi tërheqjen e grupit të deputetëve socialist nga diskutimi dhe votimi i projektligjit për hapjen e dosjeve dhe se pas kësaj artikuloi sulmin e radhës ndaj Berishës.
“Pasi tërhoqi grupin parlamentar nga debati për ligjin e pastërtisë së figurave, Rama doli përpara shqiptarëve për të bërë sulmin e radhës ndaj Kryeministrit”.
Duke ripërsëritur respektin që Kryeministri ka ndaj viktimave të regjimit komunist dhe familjarëve të tyre, Berisha kërkoi edhe nga Rama që të mos tmerrohet nga e vërteta.
“Kryeministri ka respekt për të ekzekutuarit e regjimit dhe familjarët e tyre, Kryeministri ka respektin më të madh edhe për të vërtetën, e cila tmerron Edi Ramën”, deklaroi zëdhënësi Gerti Bogdani.
 
PS-ja si partitë serbe
Duke ju referuar diskutimit të një nate më parë të Kryeministrit Sali Berisha në sallën e parlamentit, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani kujtoi se, Edi Rama, po e rendit partinë që ai drejton në një nga tri partitë, bashkë me dy parti serbe, që nuk pranojnë lustracionin. Sipas Berishës Rama këtë e bënë për të mbrojtur të kaluarën e tij të zezë.
“Në diskutimin e tij Kryeministri theksoi se Rama po pengon Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, si tre parti që nuk e pranojnë lustracionin. Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të mbrojtur lidhjet e tij me të kaluarën e zezë”, deklaroi Bogdani në emër të Kryeministrit Sali Berisha.
 
Rama të kërkojë të falur
Më pas Kryeministri Sali Berisha, duke ju rikthyer publikimeve të medieve, të firmës që babai i Edi Ramës kishte hedhur për ekzekutimin me vdekje të poetëve, i kërkoi kreut të PS-së, që përkundër pretendimeve ët tij, t’ju kërkojë të falur shqiptarëve. “Në rast se Rama do të faktojë të kundërtën, duhet tu kërkojë të falur shqiptarëve, për firmën që ati i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ka vendosur për ekzekutimin e intelektualit të shquar Havzi Nela, si dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerëve. Rama duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve për dhjetëra e dhjetëra bij dhe baballarë të cilët u ekzekutuan nga ekspertiza e pseudointelektualit Spiro Koleka”, vijoi më tej Bogdani.
 
Rama dhe e kaluara e tij
Kryeministri Sali Berisha, me anën e zëdhënësit të tij, kujtoi se faji i Ramës ka të bëjë me mosdistancimin e tij nga e kaluara dhe jo me faktin e të qenit përgjegjës, si biri i një babai. “Zoti Rama e di mirë se kryeministri Berisha nuk bën përgjegjës djalin për të atin, por ky i fundit nuk pranon lustracionin dhe fakton se më shumë se gjithçka mbron të shkuarën e familjes së tij”, u shpreh zëdhënësi Bogdani.
Në përfundim të deklaratës së tij, Berisha ripërsëriti ftesën për shkëputjen e tij nga lidhjet  e vjetra sepse kjo do e ndihmonte të shikojë përpara. “Kryeministri fton zotin Rama të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tija të vjetra, sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara”, përfundon deklarimi i Kryeministrit Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›