E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Riza Halimit, më e votuara në Preshevë

Forca politike e deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin serb është edhe më e votuara në zgjedhjet lokale në Luginën e Preshevës. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit republikan Zgjedhor nga Presheva, më së shumti vota 34,2%, përkatësisht 13 mandate, ka fituar Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit. Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Shqiptarëve e Ragmi Mustafës me 30.7% të votave të fituara, përkatësisht 12 mandate, në vendin e tretë është Unioni i luginës së Preshevës e Skënder Destanit, për të cilin kanë votuar 12,4% të votuesve dhe do të kenë pesë mandate. Grupi i Qytetarëve, i Rahmi Zulfiut ka marrë katër mandate në bazë të 9,9% të votave, ndërsa Grupi i qytetarëve Lëvizja nacionale shqiptare ka dy këshilltarë, përkatësisht gjashtë për qind të votave. Ndërkaq, në Beograd vazhdojnë me frenezi lëvizjet për formimin e qeverisë së re.

Udhëheqësia e partive të koalicionit "Për Serbinë Evropiane" ka filluar negociatat për formimin e qeverisë stabël katërvjeçare të Serbisë. Prioritet e qeverisë do të jenë që Serbinë ta fusin në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Radikale serbe, Tomisllav Nikoliç, konfirmoi dje se ka arritur pajtueshmëri me liderin e koalicionit të Partisë Demokratike të Serbisë dhe Serbisë së Re për parimet e qeverisë së re. Nikoliçi shtoi se është duke lënë hapësirë që për këto parime të prononcohet edhe koalicioni rreth Partisë Socialiste të Serbisë. Sipas nënkryetarit të PRS-së, është marrë vesh që të dërgohet ftesë deri te Partia Socialiste e Serbisë për të parë nëse edhe ata pajtohen me parimet prej të cilave duhet të udhëhiqet qeveria e re. Lideri i radikalëve vlerësoi se "nuk bëhet fjalë për atë nëse Serbia është për BE, por për kushtin themelor se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›