E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, dhuna helmon fushatën zgjedhore

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni është helmuar thellësisht nga klima e konfliktit ndërmjet dy partive kryesore konkurruese në garë: BDI-së së Ali Ahmetit dhe PDSH-së së Menduh Thaçit. Në ditët e para fushata u shoqërua nga disa akte dhune, e cila përshkallëzoi edhe një atentat të dështuar ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmetit. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për qetësimin e situatës. Ambasada e SHBA-së në Shkup shprehu shqetësimin për shkak të atmosferës aktuale parazgjedhore në Maqedoni. "Të shtënat gjatë takimit elektoral të BDI-së, si edhe seria e veprimtarive të tjera të dhunshme, rrezikojnë seriozisht të drejtën fondamentale demokratike", vlerësoi ambasada amerikane. Ambasada e SHBA shton se të gjithë qytetarët duhet të marrin pjesë lirisht në procesin zgjedhor, pa iu frikësuar apo nënshtruar presionit. "Cilado parti politike që i frikëson kandidatët dhe votuesit, nuk meriton përkrahje", thekson ambasada e SHBA-së. Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, ka takuar liderët e partive shqiptare, Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin, për biseduar rreth situatës dhe incidenteve të fundit në vend. Fuere deklaroi se është brengosës fakti që në këto incidente përdoren armë të rënda. "Do t‘u them të dy liderëve, se është e rëndësisë parësore t‘i kontrollojnë aktivistët e tyre partiakë dhe së bashku me partitë e tjera në Maqedoni të angazhohen maksimalisht që dhuna të mos përsëritet", theksoi ambasadori i BE-së para takimit. Ndërkaq, policia maqedonase arrestoi Faruk Iljazin, personin e dyshuar që kishte shtënë ndaj eskortës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski tha se policia, në afërsi të Bllokut 77 të Tetovës e ka arrestuar Faruk Iljazin nga Reçica e Madhe e Tetovës, si person i dyshuar për të shtënat me armë në fshatin Rakovec, ndaj eskortës së BDI-së dhe veturës së kryetarit të kësaj partie, Ali Ahmeti. Kotevski deklaroi se personi i dyshuar është ndaluar ndërsa po udhëtonte me makinën e tij "Opel Ascona" dhe është dërguar menjëherë në stacionin policor të Tetovës. Sipas tij, persona zyrtarë do të zhvillojnë bisedë informative me Iljazin për konfirmimin e fakteve rreth incidentit, motivet e të shtënave mbi automjetet e BDI-së, si dhe për përfshirjen eventuale të personave të tjerë. "Me këtë rast do të ftohen edhe anëtarë të BDI-së, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes", deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se gjatë tubimit në fshatin Rakovec kishte pasur tentim për atentat ndaj tij. Ai drejtoi akuza indirekte ndaj PDSH-së dhe kërkoi përgjegjësi nga Ministria e Brendshme dhe Kryeministri Nikolla Gruevski. Ndërkaq, BDI zhvilloi dje një miting në Tetovë kundër dhunës zgjedhore, pas tentimit për atentat dje ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Izet Mexhiti, deklaroi para mijëra protestuesve se "atentati ndaj kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka revoltuar rëndë shqiptarët. "Ky akt është kulm i brutalitetit shtetëror dhe partiak që po instalohet në fillimin e fushatës parazgjedhore", theksoi Mexhiti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›