E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik, 4 ditë festë me muzikë dhe sport

Çelja e sezonit turistik kishte një atmosferë ndryshe këtë vit në Vlorë. Aktivitetet kanë qenë të larmishme, ku nuk kanë munguar spektaklet, koncertet, aktivitetet sportive dhe ato kulturore. Ato gjallëruan për katër ditë me radhë qytetin bregdetar nën ritmet e muzikës, fluturimeve të "Albania Open", akrobacive me motorë ujorë, si dhe shumë aktivitete artistike dhe sportive. Organizimet e Bashkisë së Vlorës, sipas kreut të Turizmit në Vlorë, Ilir Metaj, kanë mundësuar një atmosferë, e cila nuk ka qenë kurrë më parë në qytet. Sezoni nisi me zgjedhjen e vajzës më të bukur të Vlorës. Në konkurs merrnin pjesë 20 vajza vlonjate, në një spektakël me këngë e muzikë që gjalloi qytetin dhe dhuroi një mbrëmje ndryshe për qytetin bregdetar. Më pas, përfaqësues të pushtetit vendor bënë çeljen e sezonit. Kjo festë vijoi me aktivitetin që u zhvillua për herë të parë në Vlorë, minikampionatin e Lojërave Verore. Në të morën pjesë ekipe përfaqësuese të shkollave të mesme të qytetit me djem dhe vajza. Spektakli në ujë i "Water Scooters" ishte një tjetër veçanti e aktivitetit të së shtunës, që më pas vijoi me koncerte në disa sheshe kryesore të qytetit. Festa e sezonit turistik u finalizua me organizimin të hënën të garës së motorëve "Moto Rally Albania 2008", ku morën pjesë mbi 62 motoçiklistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia, Norvegjia, Irlanda, dhe shtete të tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›