E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para Gërdecit, eksplozivi shkarkohej pa masa sigurie

Pas një shkrimi në gazetën "Shqip", botuar më 23
mars të këtij viti, që raportonte për përpunimin e
anijeve me lëndë plasëse në kalatat e Portit të Durrësit
për llogari të "Nitromak"-ut shqiptar, autoritetet vendosën
masa të larta sigurie për përpunimin e ngarkesës
pasardhëse, e cila gjithashtu ishte porositur nga firma
"Bechtel Enka", që po ndërton rrugën Durrës-Kukës
nëpërmjet firmës "Nitromak", e cila është nënkontraktuar
prej saj për të siguruar eksplozivin e nevojshëm për
hapjen e rrugës që kalon nëpër një terren malor. Ndryshe
nga reagimi që pasoi në Portin e Durrësit dhe çoi në zbatimin
e kushteve të sigurisë për përpunimin e ngarkesave
të kësaj natyre, kamioni që ra në një zonë të banuar
udhëtonte i vetëm, jashtë çdo kontrolli dhe shoqërimi
me eskorta policore. Një tjetër rregull i sigurimit teknik
që është shkelur për transportin e lëndëve plasëse është
dhe udhëtimi gjatë orëve të natës, i cili është i ndaluar
me rregullore. Kur anijet e "Nitromak"-ut shkarkoheshin
në port, agjencia dhe autoritetet portuale nxituan të deklarojnë
se firma nënkontraktore ka të gjitha lejet e
nevojshme si nga Ministria e Mbrojtjes, ashtu dhe nga
ajo e Brendshme për ushtrimin e këtij biznesi. Hetimet e
para, bazuar në përgjime telefonatash, treguan se licencimi
ishte bërë mbi bazën e korruptimit të zyrtarëve të
lartë. Ndoshta pas rastit të Mirditës, ashtu siç ndodhi dhe
me anijet, po vetëm për pak kohë, kamionët me eksplozivë
që rëndom kalojnë nëpër zonat e banuara, do të
mbahen nën kontroll dhe do të shoqërohen me eskorta
policore të komisariateve nëpër të cilat kalojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›