E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag tragjedie, makina me 10 tonë tritol bie mbi një shtëpi

Një automjet i tonazhit të rëndë që transportonte 10 tonë eksploziv, i kompanisë nënkontraktore "Nitromaks", ka dalë nga rruga, duke rënë mbi një shtëpi, kati i dytë i së cilës ka pësuar dëme në masë të konsiderueshme. Dy net më parë, ndërsa udhëtonte në aksin Reps-Thirrë, në afërsi të fshatit Bisak të Mirditës, shoferi shqiptar Pjetër Çoku, ka humbur kontrollin e mjetit. Ai ka dalë në krahun e majtë të rrugës, duke u rrëzuar në oborrin e shtëpisë së Ndue Laskës. Mjeti "Iveco" me targë DR3392C po transportonte nga Borizanë për llogari të firmës "Bechtel Enka", një sasi të llogaritur rreth 10 tonë lëndë plasëse që shfrytëzohet për hapjen e trasesë në autostradën Durrës-Kukës. Papritur, për arsye që ende nuk dihen, makina është rrëzuar, duke u përplasur me pjesën anësore të shtëpisë dykatëshe të Laskës. Si pasojë, kallëpet e eksplozivit janë shpërndarë para shtëpisë, ku banon familja Laska. I alarmuar, kryefamiljari bashkë me të shoqen, dy fëmijët dhe prindërit, kanë dalë jashtë, ku kanë parë se çfarë kishte ndodhur. Menjëherë është lajmëruar policia, ku fillimisht kanë shkuar forca nga Mirdita, Rrësheni e Lezha e më pas dhe ekspertë të Tiranës e nga firma. Qëllimi kryesor ishte mbledhja e dinamitit dhe transportimi i menjëhershëm, pasi mund të provokohej shpërthimi i tyre dhe atëherë përmasat do të ishin një katastrofë. Vetë drejtuesi është transportuar në spital, ndërsa po kryhen hetime për zbardhjen e ngjarjes. Kryefamiljari Laska pohoi se i janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme nga përplasja. Automjeti i tonazhit të lartë i përket kompanisë nënkontraktore "Nitromaks", që transporton lëndë plasëse për llogari të kompanisë "Bechtel Enka", e cila ndërton aksin Rrëshen-Kalimash. Makina ishte nisur nga depot e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Borizanë për në kantierin që ndodhet në zonën e Mirditës. Siç duhet të ndodhë në raste të transportimit të lëndëve plasëse, për elementë të sigurisë, automjeti duhej të shoqërohej nga eskortë policie, ashtu siç e lejon rregullorja. Në kundërshtim të hapur me këtë rregull, lënda eksplozive e transportuar me mjete të firmës private, jo vetëm që është transportuar pa eskortë policie të çdo komisariati, ku kalonte kamioni, por një veprim i tillë është bërë gjatë orëve të natës, që përbën edhe një tjetër rregull të thyer. Burime nga policia pohojnë se drejtuesi i mjetit, 48-vjeçari Pjetër Coku ishte i licencuar për transportimin e lëndëve plasëse. Aksidenti ka ardhur pasi makina ka rrëshqitur, duke zënë poshtë shtëpinë, banorët e së cilës për fat kanë qenë në krahun tjetër të saj. Ndue Laska tregon se kati i dytë i banesës ka pësuar dëme të shumta, ndërsa çdo ditë jetojnë me rrezikun e të tilla aksidenteve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›