E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugës

Këto javët e fundit, më është dashur që të marr shpesh rrugën për në Shkodër. Udhëtimi për në qytetin tim të origjinës më krijon gjithmonë kënaqësi dhe rruga që përshkoj deri atje gjithnjë më duket se kalon shpejt.

Kësaj radhe, vendosa që rrugën ta shikoj me vëmendje dhe të hedh në letër disa konstatime. Për të marrë rrugën për në Veri, pra Shkodër në këtë rast, janë dy mundësi: e para dhe më e lehta është ajo që kalon nga Rinasi dhe tjetra që, për arsye punimesh është edhe e dëmtuar, është nga Kamza. Kësaj here zgjodha të udhëtoj nga kjo e dyta. Mbasi hyra në Kamzë, gjëja e parë që më ra në sy ishin punimet që po bëheshin dhe që shpresoj që shpejt do të mbarojnë dhe kështu do të sistemojnë dhe këtë pjesë të rrugës. Por gjëja tjetër që të bie në sy është rrëmuja e madhe që krijohet për të dalë nga kjo pjesë dhe për të kapur rrugën për në Fushë-Krujë. Njerëz, makina, biçikleta, mjete të tjera transporti, të gjithë në rrugë, por ajo që mua si shofer më mërziste më shumë ishin disa furgonë pasagjerësh që nuk respektonin asnjë rregull të qarkullimit rrugor, që merrnin dhe linin njerëz ku të donin dhe që në shumicën e rasteve edhe ndalonin për muhabet në mes të rrugës. Në qendër të Kamzës, shumë afër me bashkinë, gjendeshin një grup i madh me policë, por asnjëri nga ata nuk shqetësohej për këtë rrëmujë që ishte shumë afër me ta dhe aq më tepër asnjëri nuk mundohej të ndërpriste bisedat e shoferëve të furgonëve apo ndalimet për të marrë dhe zbritur pasagjerë. Mesa di është një linjë urbani që lidh Tiranën me Kamzën, se pse duhen furgonët, këtë nuk e kuptoj. Dikush mund të pretendojë për liberalizim të tregut dhe për rritje të konkurrencës e për rrjedhojë edhe për përmirësim të shërbimit, por kjo, jo vetëm që nuk ndodh në rastin që përshkrova më sipër, por vetëm e përkeqëson gjendjen. Megjithatë, mbas pak dola për në rrugën që të lidh me mbikalimin e Fushë-Krujës për të vazhduar për në Shkodër. Këtu skena bëhet edhe më interesante, pasi shoferët e furgonëve që shkojnë për te qytetet e Veriut, ndalojnë mbi urë për të marrë dhe zbritur pasagjerë. Në fakt, në hyrje të mbikalimit, një tabelë e madhe shënon shpejtësinë që lejohet për mjetet, si dhe moslejimin e ndalimit apo parkimit, por ajo çfarë ndodh është krejt e kundërta. Pak metra sapo kalon mbikalimin, në krahun e djathtë, gjithmonë qëndron një patrullë e policisë rrugore që, me një aparat, mat shpejtësinë e makinave që qarkullojnë aty. Pra në qoftë se je me shpejtësi mbi normat e lejuara, policia të ndalon, të gjobit apo edhe merr patentën sipas rastit, por asnjëherë nuk më ka qëlluar të shoh një polic rrugor duke ndaluar një nga këta furgonët që marrin dhe zbresin pasagjerë në të gjitha pikat e mundshme.

Dikush mund të mendojë se i gjithë shkrimi do të jetë për furgonët dhe policët, por jo, do të mundohem të jap rrugën që ndjek për në Shkodër me sa më shumë detaje. Kështu, pasi lash nga pas postbllokun e policisë, gjëja tjetër që më ra në sy ishin disa baraka shumë të vogla metalike, që kishin një tabelë "Mish derri i freskët", them disa, sepse nga mbikalimi i Fushë-Krujës e deri në atë të Milotit ku dhe rruga ndahet për në Kosovë, janë shumë të tilla. Përveç faktit që ato nuk plotësojnë asnjë kusht higjieno-sanitar, këto baraka janë dhe një imazh besoj shumë negativ për vendin tonë. Por ka edhe një fakt tjetër për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, vendi ynë ka si kusht edhe plotësimin e standardeve evropiane për tregtimin e produkteve ushqimorë dhe, në këtë kuadër, nga Ministria e Bujqësisë janë akorduar miliona lekë fonde për ngritjen e thertoreve dhe tregjeve moderne. Të gjitha këto arsye besoj se do të mjaftonin për institucionet e higjienës dhe ushqimit për të mbyllur këto baraka të shëmtuara që i gjen buzë rrugës në segmentin që përmenda më lart.

Duke mbetur po te ky segment i rrugës, diku në dalje të Thumanës, në dy krahët e rrugës, të bie në sy një tunel. Kush ka udhëtuar në këtë pjesë të rrugës, mund të mendojë se fantazia ime është e shfrenuar, pasi në këtë segment ka vetëm fusha, por fjalën e kam për një tunel të krijuar nga dora e njeriut. Buzë rrugës janë mbledhur me mijëra hekurishte, makina të vjetra, autobusë, furgonë, biles edhe goma të vjetra që shiten për pjesë këmbimi. Pirgu është aq i madh sa kur kalon aty, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një tunel dhe përsëri asnjë institucion nuk merr mundimin për të larguar këto hekurishte. Sipas strukturës së Ministrisë së Mjedisit, kemi dhe Agjenci Rajonale Mjedisore, që duhet të kujdesen për ambientin, por mesa duket, në këtë zonë, asnjë nuk kujdeset për të. Sa për kujtesë, edhe mjedisi është një nga kapitujt më të rëndësishëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

E gjithë rruga nga Tirana në Shkodër kalon në një fushë shumë të bukur, me pak thyerje kodrinash aty këtu, por gjatë vëzhgimit tim më ra në sy edhe një fenomen tjetër, ai i mospunimit të tokës. Sipërfaqe shumë të mëdha gjenden të papunuara, çfarë sheh me shumicë janë pikat e karburantit dhe shtëpitë e ndërtuara pa kriter. Nga shpeshtësia e pikave të karburantit të krijohet përshtypja se Shqipëria ka një popullsi dhjetëra milionëshe dhe ku secili nga ne ka minimalisht tri makina, sipas rregullave të BE-së, distanca mes tyre duhet të jetë jo më e vogël se 50 km.

Makina ecën dhe diku sapo kalon Lezhën, rruga bëhet edhe më e bukur ndofta jam subjektiv, fushat e bukura mes kodrave të Kakarriqit dhe vargmaleve që ndajnë Ultësirën Perëndimore krijojnë një peizazh shumë të bukur, sigurisht dhe trafiku në këtë zonë është më i ulët dhe kështu makina duket sikur fluturon. Në dy krahët e rrugës ka pak ndërtime të ç‘rregullta dhe pak pika karburantesh, por siç edhe në pjesën para se të vish në Lezhë, këto fusha pak punohen, a thua se në Shqipëri nuk konsumohen lakrat, preshi apo dhe produkte të tjera bujqësore. Ajo çfarë më tërhoqi vëmendjen tjetër ishin tabelat e qarkullimit rrugor, sa kalon Balldrenin dhe hyn në rrugën e Gjadrit, shpejtësia e lejuar është 50 km/orë, përsëri e njëjta shifër shfaqet edhe në Kallmet edhe në Mabe e deri sa hyn në Bushat. Sipas shenjave të vendosura nga shërbimet e policisë, shpejtësia 50 km/orë nuk mbaron asnjëherë, pra as nuk zvogëlohet as nuk zmadhohet.

Nejse, arrita në Shkodër dhe pasi takova të afërm, miq e shokë, u nisa për të marrë rrugën e kthimit për në Tiranë, nata kishte rënë, kështu që kujdesi në rrugë është edhe më i madh. Normalisht, udhëtimi ditën dhe natën nuk duhet të kenë ndonjë diferencë të madhe, por ja që në këtë rast duhet. Ajo çfarë duhet të kujdesesh më shumë është të shikosh mjete të vogla transporti si karroca, dum-dum kinezë, zetorë apo dhe traktorë që janë në rrugë, por që nuk kanë asnjë lloj sinjalizimi, ka pasur shumë raste kur aksidente të tilla kanë ndodhur. E këtu duhet të kthehemi edhe një herë te policia, pasi siç e thashë më sipër, në rastin më të parë që kalon normën e shpejtësisë, me të drejtë të gjobisin, por ata asnjëherë nuk reagojnë kur rruga bllokohet nga këto mjete, që jo vetëm ngadalësojnë qarkullimin në rrugët nacionale, por janë edhe shkak aksidentesh. Në asnjë segment të rrugës nuk ka tabela që lejojnë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë, po mjetet e mësipërme nuk ecin më shumë se 10 km/orë, kështu që edhe kjo është shkelje apo jo. Po kaq të rrezikshëm janë dhe motorët me cilindratë të vogël, jo vetëm që nuk kanë asnjë shenjë sinjalizimi, biles as të targuar nuk janë, por drejtuesit e tyre qëndrojnë në mes të rrugës dhe nuk mbajnë kaska, e përsëri policët nuk reagojnë. E kështu rruga erdhi drejt fundit dhe unë përsëri u ktheva në Tiranë me mendimin për të hedhur në letër këto pak rreshta për rrugën deri në Shkodër dhe anasjelltas.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›