E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sulmon Ramën, kërkon shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut



Eljona Ballhysa
Në prag të fushatës elektorale për pushtetin vendor, kryeministri Berisha ka sulmuar ashpër dje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë, Berisha është shprehur se do ta kishte shkarkuar 100 herë Ramën nga posti i kryetarit të Bashkisë, por nuk e bën dot këtë për shkak të postit të kryetarit të PS-së që ai mban. Shkak për këtë është bërë mosdekorimi i kryeqytetit me rastin e festës së Pavarësisë. Berisha e akuzoi Ramën për kryerjen e një “akti rrugaçërie publike ndaj kombit, Flamurit dhe vendit”. Ai i kërkoi dje ministrit të Jashtëm që të ndryshojë ligjin për Protokollin e Shtetit dhe të jetë ky i fundit që do të merret me dekorimin e kryeqytetit me rastin e festave kombëtare.
Akuzat
“Dua t’i them sot, nga kjo mbledhje, se unë të shkarkoja njëqind herë ty, zoti Edi Rama dhe dije mirë se të shkarkoja e të jepja shumë më tepër se ç’meriton, se e konsideroj këtë një rrugaçëri kombëtare, një fyerje shumë të rëndë që ti i bën çdo shqiptari, që sillesh si biri i Enverit ndaj një dite që është kaq e shenjtë për shqiptarët. Por nuk e bëj këtë, sepse duke qenë edhe kryetar i Partisë Socialiste, do të merrte një konotacion, të cilin nuk dëshiroj që ta marrë”, - është shprehur Berisha, ndërsa kërkoi ndryshimin e protokollit për festat kombëtare. “Por sot e përgjithmonë, Protokolli i Ditës Kombëtare do të jetë tjetër, në mënyrë që kurrë ndonjëherë apatridë si ty të mund të mos fyejnë flamurin, qytetarët, kryeqytetin dhe kombin, me një qëndrim të tillë ekzistencialist, të papajtueshëm, të papranueshëm. Në të gjitha qytetet ku janë trojet shqiptare e ku jetojnë shqiptarë u valëvit flamuri, përveçse në rrugët e Tiranës, sepse Edvin Kristaq Rama merr urdhra nga ati i tij shpirtëror. E bëri për herë të dytë, por nuk do të mund ta bëjë kurrë më”, - është shprehur Berisha. Ai u kërkoi ndjesë shqiptarëve që nuk mundet dot ta shkarkojë Ramën. “Dua t’u kërkoj ndjesë shqiptarëve që nuk e shkarkoj, se mund ta shkarkoja dhe e meriton njëqind herë për aktin e rrugaçërisë publike ndaj kombit, Flamurit dhe vendit, por rregullat e pluralizmit më imponojnë të përshtat këtë qëndrim. Kam besim se qytetarët e Tiranës e të mbarë Shqipërisë do t’i japin përgjigjen këtij apatridi, këtij njeriu që nuk ka respektin më minimal për flamurin e vendit të tij, i cili është njëkohësisht edhe flamuri i kombit të tij, flamur i njomur me gjak më së fundi se gjithë të tjerët në Europë”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai ka mbështetur nismën e marrë nga këshilltarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të cilët kanë kërkuar ndjekje penale ndaj Ramës. Berisha shprehu bindjen dhe besimin se drejtësia do të thotë fjalën e saj. “Akti është jashtëzakonisht i rëndë. Këshilli Bashkiak ka marrë nismën për të kërkuar ndjekje penale ndaj tij dhe unë kam besim se drejtësia do të thotë fjalën e vet. Kjo është mënyra më e mirë. Fyerja që u ke bërë shqiptarëve është më e rënda që mund t’u ketë bëtë kush ndonjëherë. Dhe je recidivist, pasi e bën për herë të dytë”, - ka përfunduar Berisha.

Rama: “Berisha është njeriu më pak i duhur për të na e kujtuar flamurin”

Pas deklaratës së Berishës për moszbukurimin e kryeqytetin me rastin e Ditës së Pavarësisë, ka reaguar dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ai tha dje për gazetarët se Berisha është njeriu më pak i duhur për t’i kujtuar flamurin. Sipas Ramës, kryeministri Berisha bën mirë që të merret me situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe komunat përreth saj dhe të mos merret me flamurin. Ai tha se Berisha dhe qeveria që ai drejton janë përgjegjës për situatën në Shkodër. “Pres dhe shpresoj që kryeministri të merret me zonën e përmbytur të Shkodrës, që është shëmbëlltyra e dështimit të tij, dhe të mos merret duke përgojuar flamurin e përbashkët. Berisha është njeriu më pak i duhur për të na e kujtuar flamurin”, - tha kryebashkiaku. Rama i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të punës së Bashkisë për gjelbërimin me 300 lloje pemësh e bimësh në bllokun e banimit “Njazi Meka” në Allias, ku ka shigjetuar politikisht kreun e qeverisë. “300 shpifjeve të Saliut ne i përgjigjemi me 300 pemë dhe drurë dekorativë në një ditë, në një bllok banimi ku rikthehemi për të shtuar përmasën e gjelbër”, - tha Rama.

Ahmetaj: “Rritja e çmimit të energjisë, e papranueshme”

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, e ka cilësuar të papranueshme rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në një deklaratë për mediat ai është shprehur se në një kohë kur në të gjithë rajonin ulet çmimi i energjisë, qeveria shqiptare nuk bën gjë tjetër veçse e rrit atë. “50 000 lekë në muaj do të paguajnë minimalisht familjet shqiptare për energjinë që prej 1 janarit 2011. 10 000 lekë më shumë do të paguajnë çdo muaj për energjinë pensionistët, të cilëve Saliu ua rriti pensionet me nga 6000 lekë të vjetër. Më shumë do të paguajnë çdo muaj arsimtarët, infermierët, nëpunësit civilë, të cilëve Saliu bën sikur u rrit rrogat, për t’u marrë pastaj edhe më shumë para me rritjen e çmimit të energjisë apo me rritjen e çmimeve të tjera. Në një kohë që çmimet e energjisë në të gjithë rajonin janë duke rënë ndjeshëm, Sali Berisha u faturon shqiptarëve një tjetër rritje çmimesh. Është e papranueshme dhe e pajustifikuar që KESH-i dhe OST-ja, që kontrollohen 100% nga qeveria ‘Berisha’, të kërkojnë një rritje çmimesh për të paguar kostot e keqmenaxhimit, abuzimit dhe korrupsionit të tyre”, - është shprehur Ahmetaj.
Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë do ta shtojë edhe më tej barrën e rëndë të varfërisë për qytetarët shqiptarë. “Tregtarët dhe bizneset e kanë deklaruar tanimë se një tjetër rritje e çmimit të energjisë do të shkaktonte një efekt domino në treg, duke rritur çmimet e të gjitha produkteve ushqimore. Kjo do të rëndojë sërish mbi familjet e thjeshta shqiptare. Sali Berisha duhet të bëjë transparente arsyet përse kontrata e privatizimit të OSSH-së parashikonte rritje të çmimit të energjisë për vitin 2009, 2010 e madje për çdo vit deri në 2015-n. Sali Berisha duhet po ashtu të gjejë kurajën e t’u thotë shqiptarëve se i ka mashtruar kur premtonte se sa të ishte ai në pushtet çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritej kurrë”, - është shprehur socialisti Ahmetaj.

2 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›