E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë jotransparente

Partitë politike vazhdojnë t’i fshehin burimet e tyre të financimit, duke hapur kështu dyshime për pastërtinë e fondeve që zotërojnë.

Qeveria tashmë e ka hartuar një draftligj për financimin e partive, por subjektet politike kërkojnë modifikimin e tij.

Në një tryezë të mbajtur të martën nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja “Fol”, u tha se draftligji duhet të ndryshohet në mënyrë që të jetë funksional kur të miratohet në Parlament.

Safete Hadergjonaj, deputete e PDK’së, tha se prejardhja e donacioneve të partive politike duhet të jetë e obligueshme me ligj.

“Jo gjithmonë e kemi pasur të qartë për atë që kanë bërë partitë politike në Kosovë. Duhet të këtë debat për këtë draftligj, në mënyrë që ligji të jetë i mirë dhe i zbatueshëm. Në këtë ligj duhet të përcaktohet prejardhja e donacioneve, mënyra e ndarjes së këtyre mjeteve, çështja e raportimit të bëhet sipas standardeve të kontabilitetit, që pritet ta bëjë Zyra e Auditorit të Përgjithshëm”, ka thënë ajo.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, ka kërkuar sqarim për ligjin për financimin e partive politike dhe kërkesat e shoqërisë për këtë ligj.

“Ne duhet të fillojmë të mendojmë se çka është me rëndësi për Kosovën në këtë fazë. A është me rëndësi të dimë se ku i marrin paratë dhe sa shpenzojnë apo është me rëndësi që ta limitojmë shumën. E di që duhet t’i bëjmë të dyja, por mendoj se mos po i konkurrojmë në këtë fazë kësaj çështjeje. Tani kufizimi është i domosdoshëm, realisht”, ka thënë Gjini.

Ndërkaq, deputeti i AKR’së, Ibrahim Makolli ka potencuar se në Kosovë mungesa e transparencës është shndërruar në një normë jetese.

“Gjendja që sot kemi është si rezultat i mungesës së ligjit, si rezultat i mungesës së vullnetit të partive politike për të qenë transparente, sepse legjislacioni që është në fuqi i obligon partitë politike që të kenë transparencë”, ka thënë ai.

Lars Olofsson, Auditor i Përgjithshëm, ndërkaq ka thënë se nuk dihet se si institucionet publike po e mbrojnë paranë publike dhe nuk e dimë se si po i kontrollojnë institucionet private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›