E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë, larg demokratizimit të brendshëm

Disa e kanë fjalën demokraci në emrin e tyre, të tjerat nuk e kanë, por vazhdimisht referohen në demokracinë e brendshme. Por kjo duket se mbetet vetëm në suazat e deklaratave. Partitë politike në Kosovë vuajnë nga mungesa e demokracisë së brendshme dhe kjo përmendet në çdo Raport të Progresit, përderisa edhe analistët e ndryshëm shprehin vazhdimisht nevojën për ngritjen e nivelit të demokracisë.

Edhe një anketë e Kosovapress-it nxjerr në pah mendimin e qytetarëve se partitë nuk kanë demokraci të brendshme. Nga ana tjetër edhe vetë përfaqësuesit e subjekteve politike flasin për “hapësirë të ngushtë” të demokracisë brendapartiake.

Në anketën e Kosovapressit, një përqindja e lartë votuesve kanë dhënë përgjigje se në partitë politike nuk ka demokraci të brendshme. Nga 1747 respondentë në pyetjen “A ka demokraci në partitë politike të Kosovës?”, 1491 votues ose 85 për qind kanë dhënë përgjigjen jo, 192 votues ose 11 kanë dhënë përgjigjen po, kurse 64 votues ose 4 për qind, kanë thënë se nuk e dinë.

Partia më e madhe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është kritikuar shpesh për mungesë të demokracisë, e cila lidhet kryesisht me zgjedhjet e brendshme dhe mungesën e më shumë se një kandidati për kryetar të partisë.

Hydajet Hyseni nga kjo parti, pranon se në PDK ka vend për më shumë demokraci, por ai thotë se ky sindromë është serioz në gjithë jetën politike në Kosovë.

“Unë mendoj që demokratizimi duhet të kuptohet si një proces i thellë, i gjerë, afatgjatë dhe në këtë çështje ka punë tek të gjitha subjektet. Nuk është vetëm puna te PDK-ja, por edhe në PDK ka vend për demokratizim, sepse nuk mjafton vetëm të deklarohesh se je parti demokratike, nuk mjafton as të përgjërohesh e të përbetohesh në demokraci, por kërkohet që të vendosen së pari normat, pastaj të jetë hapësira dhe të zbatohen praktikat që në funksionimin e tyre janë demokratike. Këto për fat të keq u mungojnë të gjitha subjekteve tona dhe konsideroj vërtetë sindromë shumë serioz në jetën politike, por nuk kam iluzione se procesi i demokratizimin është i lehtë, aq më tepër kur edhe perceptimi i përgjithshëm është i thjeshtëzuar”, ka thënë Hyseni për Kosovapress.

Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj, është partia nga e cila janë larguar vazhdimisht anëtarë të saj, kryesisht për mungesë të demokracisë, gjë që ka kulmuar me ndarjen e saj në Kuvendin e Gjashtë Zgjedhor në vitin 2006.

Por Ismet Beqiri nga kjo parti thotë me plot gojë se ka demokraci në partinë e tij, dhe këtë ai e mbështet në faktin që LDK-ja deri tani ka ndërruar tre kryetarë.

“Vetë procesi zgjedhor ka treguar që LDK-ja është parti që i respekton vlerat demokratike, sepse është shumë e qartë, LDK-ja është hera e dytë që e zgjedh kryetarin e saj me kundërkandidat dhe me votim të fshehtë, gjë që nuk ka ndodhur tek të tjerët, por është e punës, sepse unë mendoj se herë-do-kurdo mosrespektimi i një demokracie të brendshme, dikujt mund t’i kushtojë”, ka thënë Beqiri për Kosovapress.

Beqiri thekson se mungesa e demokracisë do t’i kushtojë secilës parti, përderisa thotë se edhe partitë tjera do të kalojnë procesin nëpër të cilin ka kaluar LDK-ja.

Ndërsa Alma Lama nga Lëvizja Vetëvendosje, pranon se sikur të partitë tjera, edhe Vetëvendosja çalon në respektimin e statutit të partisë, për të cilin ajo nuk thotë me bindje se është edhe aq demokratik.

“Për sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, ka një statut demokratik mund të them, por edhe ai çalon te respektimi do të thosha, sepse jo gjithmonë vendimmarrja është në bazë të gjerë, ose merr parasysh mendimet e të gjithëve, por shkohet shpesh në një vendimmarrje të një grupi të caktuar më të vogël”, ka thënë Lama për Kosovapress.

Sipas analistit politik, Behlul Beqaj, mungesa e demokracisë brendapartiake, reflekton edhe në mungesën e demokracisë në gjithë shoqërinë.

“Arsyeja kryesore pse shoqëria në Kosovë në esencë nuk është demokratike, fillon pikërisht me mungesën e demokracisë brendapartiake. Dhe kur nuk ka demokraci brendapartiake, atëherë çdo gjë merr kahe tjetër dhe shoqëria nuk mund të jetë esencialisht demokratike, përkundrazi ajo bëhet peng i liderëve të cilët imponojnë politikën e tyre në emër të zgjedhjeve gjoja se demokratike. Rast eklatant është kuvendi i fundit i PDK-së, por edhe kuvendet e partive tjera, me përjashtim të LDK-së, nuk mund të konsiderohen se kanë pasur raport adekuat brendapartiak demokratik, për faktin se kanë pasur kryesisht një kandidat dhe ai kandidat kryesisht është zgjedhur me aklamacion pa kurrfarë debati dhe pa kurrfarë konsultimesh me degët, të cilat janë faktikisht sitat e para për kristalizimin e kualiteteve të liderëve që pretendojnë ta marrin këtë post brenda partisë, e më vonë edhe në rangjet dhe nivelet tjera të pushtetit, qoftë Qeveri, Kuvend apo Presidencë”, është shprehur Beqaj.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje si subjekt i ri politik, sipas Beqajt, ka të njëjtën qasje. Ai ka thënë se nëse ekziston vetëm një kandidat, domethënë se në atë subjekt politik nuk ka ekzistuar debati. Sipas Beqajt, sa më shumë që të ketë kandidatë, spektri dhe gama e aftësive dhe shkathtësive të liderit vjen duke u analizuar objektivisht, sa më pak që ka debate, objektiviteti kalon më tepër në subjektivitetin e liderit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›