E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bereqeti i Atifetes

Presidentja Atifete Jahjaga vazhdoi traditën duke shtruar “Darkën e Lamës”. Zyrtarët më të lartë të vendit dhe ata ndërkombëtarë, të ulur këmbëkryq përreth sofrës, dëgjuan edhe fjalime për të kaluarën iliro –dardane. Por, Presidentja nuk harroi të lutet për më shumë begati, derisa qytetarëve u kërkoi që të punojnë më shumë.

Presidentja Atifete Jahjaga e para ka larguar shkamin para sofrës dhe është ulur përballë tryezës me ushqime tradicionale të shtruar për nder të “Darkës së Lamës”.

Kjo festë është instaluar në vitin 2002 nga ish – Presidenti Ibrahim Rugova me lutjet që kosovarët të kenë sa më shumë të mira dhe bereqet.

Para se të ulej përballë sofrës, Jahjaga i ka ftuar zyrtarët ndërkombëtarë dhe vendorë të shijojnë prodhimet vendore.

“Është tradita jonë - ju ftoj si Zonjë e Shtëpisë që të uleni në sofër”, ka thënë Jahjaga.

Sikurse Shefja e Shtetit, edhe shumica e mysafirëve e kanë larguar shkamin dhe janë ulur këmbëkryq të enjten në darkën tradicionale, të organizuar në një lokal në Parkun e Gërmisë.

Në krahun e djathtë të Jahjagës, këmbët i ka kryqëzuar edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe Komandanti i KFOR’it, Erhard Drews.

Kurse në anën e majtë, Ambasadori Christopher Dell dhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa.

I vetmi që ka qëndruar më lart se të tjerët përballë sofrës ka qenë mbikëqyrësi i pavarësisë, Peter Feith.

“Kështu më vjen më lehtë”, ka thënë Presidentja, kur ka larguar shkamin.

“U bëftë mirë. Good apetite”, u ka thënë Jahjaga zyrtarëve vendorëve dhe ndërkombëtarëve.

Si zakonisht në darkën që simbolizon përfundimin e të korrave në Kosovë, kanë marrë pjesë personalitete vendëse dhe ndërkombëtare.

Në “Darkën e Lamës” kanë munguar zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lideri i saj, Albin Kurti.

Adem Demaçi, Fatmir Sejdiu e Ramë Manaj kanë qenë ndër të parët që kanë ardhur.

Pak minuta para ceremonisë ka ardhur edhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, me bashkëpunëtorë, duke qëndruar larg zyrtarëve të tjerë.

Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu është përshëndetur edhe me Liderin e PDK’së, por jo me ish-Këshilltarin e tij dhe Kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa.

Në cilësinë e nikoqires, Presidentja e Kosovës u ka treguar pak histori të pranishmëve për ngjarjen.

“Darka e Lamës është një festë e paraardhësve tanë dardanë dhe ilirë dhe të gjithë popujve të tjerë të lashtësisë, një festë tradicionale në familjet tona që buron dhe u përcoll brez pas brezi”, ka thënë Jahjaga.

“Një festë gëzimi për punët e kryera të stinës.... Përfundimet e korrje e shirjeve gjithmonë kanë sjellë gëzimin në festën e përbashkët “Darkën e Lamës”, ku secili e sjell ushqimin më të mirë që e ka në sofrën e përbashkët”, ka shpjeguar ajo.

“Urojmë që këto të mira të shijohen e përdoren me shëndet e harmoni deri në të korrat e reja”, ka shtuar Presidentja.

Presidentja ka dërguar një falënderim special për ushtarët e KFOR’it dhe policët e EULEX’it dhe UNMIK’ut për “vendin e saj”.

“Kontributi juaj në ruajtjen dhe rindërtimin e vendit tim dhe rindërtimin e proceseve demokratike të një shoqëria stabile dhe të barabartë është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Jahjaga.

Por, cila ishte porosia për qytetarët dhe lutja e Jahjagës?

“Duhet të punojnë shumë që të sigurojmë bukën dhe begatinë për vete dhe prodhimet cilësore kosovare. Të dalim në tregjet e botës. T`i lutemi Zotit të na e ruajë tokën tonë dhe të na e shtojë begatinë. Perëndia e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj. Perëndia ju bekoftë juve”, u ka thënë Jahjaga mysafirëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›