Rama në takime elektorale
22/06/2009 Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama vijon takimet intensive në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme. Kështu, gjatë ditës së djeshme kanë qenë takimet me banorë të Tiranës në qendër të vëmendjes së kreut socialist, ku kërkoi që më 28 qershor të votojnë për alternativën që përfaqëson partia e drejtuar prej tij. Ndërkohë që dy ditë më parë stacioni i radhës për kryetarin Rama ishte Qarku i Beratit, ku zhvilloi disa takime. Sipas tij, Shqipëria meriton më shumë se këtë politikë të vjetër, e cila i ka zvarritur për 18 vjet. “Sali Berisha do notën 10 për nivelin më të lartë të papunësisë në vend. Do notën 10 për faktin se në Shqipëri jeton e lumtur vetëm një familje, dhe kjo është familja e tij; jeton i lumtur vetëm një oborr, dhe ky është oborri i shërbëtorëve dhe klientëve të tij. Do notën 10 dhe e do me pahir, do notën 10 Sali Berisha për këtë shtet që e ka vërsulur kundër mësuesve, kundër mjekëve, kundër nëpunësve, kundër njerëzve në nevojë, të cilët i kërcënon të gjithë me bukën e gojës, po nuk i vunë notën 10”, - vuri në dukje Rama.