E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja strukturë me ish-policë të liruar

22/06/2009  Mbrojtja e votës

Partia Socialiste ka ngritur një strukturë të posaçme për ruajtjen e votës më 28 qershor. Në këtë strukturë, e cila prej kohësh është instaluar në terren, bëjnë pjesë ish-oficerë të policisë, tashmë në lirim, por që njihen si mbështetës të së majtës. Synimi kryesor i kësaj strukture është pikërisht të monitorojë votat e Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit. Të gjitha grupet konsultative të përbëra nga ish-drejtues dhe ish-policë të Policisë së Shtetit drejtohen nga një shtab prej 7 anëtarësh. Ky grup, i cili nuk është strukturë paralele me Policinë e Shtetit, do të jetë prezent ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë një prononcimi për shtyp ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë Pjerin Ndreu bëri me dije se ai vetë do të jetë në krye të këtyre personave apo të këtyre grupeve të shpërndara në çdo qendër votimi, ku qëllim dhe prioriteti kryesor i tyre është ruajtja e votave të PS-së, qëllim për të cilin erdhi dhe nevoja për ngritjen e një strukture të tillë pranë PS-së. Në zbatim të ligjit zgjedhor, ata do të qëndrojnë jashtë qendrave të votimit dhe do të jenë të gatshëm të vihen në veprim sapo vëzhguesit e Partisë Socialiste do të sinjalizojnë për skema manipulimi, ku sipas Ndreut po tentohen skema të tilla më 28 qershor. Ndërhyrja e këtyre personave nuk do të jetë fizike, por thjesht informuese për Ministrinë e Brendshme dhe përmes provave, që Partia Socialiste do t’i përdorë nëse do të tentohet për manipulim rezultati nëpërmjet votave apo kartave të identitetit falas.

Takimi

Kreu i Partisë Socialiste mblodhi pak kohë më parë në një takim informal në selinë rozë një përfaqësi të ish-oficerëve në lirim. Gjatë mbledhjes kreu socialist, Rama, mësohet të ketë kërkuar nga kjo përfaqësi ish-oficerësh mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, që do të sillnin në pushtet PS-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›