E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgjina Kuli - Fati im i parashkruar

 sonila merolliAjo pret e përcjell pacientët e saj të vegjël, por jo vetëm ata, në një zyrë komode në kat të tretë të Pediatrisë. Mes objekteve karakteristike që gjen në çdo zyrë, ajo çka nuk mund t’i shpëtojë vështrimit të çdokujt janë lodrat për fëmijë mbi tavolinën e saj të punës. “Ato janë mjet i domosdoshëm për të lehtësuar ankthin e fëmijëve”, na sqaron Gjeorgjina Kuli Lito, para se të fillojë të rrëfejë historinë e jetës së vet. -Zonja Kuli, kthehemi pak prapa, te kujtimet tuaja të fëmijërisë. Si i kujtoni kontaktet e para me “bluzën e bardhë” dhe më pas vendimin për të ndjekur gjurmët e babait tuaj?E mbaj mend veten bashkë me mjekësinë. Kontakti i parë ka qenë që në moshë të vogël, pasi jetoja me problemet e babait duke qenë se ai ishte kardiologu i vetëm në rrethin e Lushnjës. Mbaj mend kur ai shkëputej nga festat familjare, apo kur dera trokiste orë e çast nga të afërmit e pacientëve që e thërrisnin. Terminologjinë dhe ballafaqimin me pacientët i kam pjesë të pashlyeshme të fëmijërisë sime. Kur vinte për konsulta në Tiranë, babai më merrte me vete se isha djali dhe vajza e shtëpisë. Më shpjegonte deri në detaje artikujt që botonte... Kemi pasur një enciklopedi të madhe së bashku me disa pllaka gramafoni që shoqëronin zhurmat e zemrës, për t’ua shpjeguar studentëve. Shpeshherë babai i vinte në shtëpi dhe ne i dëgjonim. Ndaj mua më ishte mësuar veshi me atë ritmin e zemrës tik-tak... Në gjimnaz m’u kristalizua ideja, m’ u duk sikur nuk kisha alternativë tjetër, vetëm të ecja në gjurmët profesionale të babait.-Një fëmijëri pa momente të trishtuara?Sigurisht që kishte. Mamaja ime ka kombësi bullgare dhe kur sistemi i asaj kohe prishi marrëdhëniet, martesa e prindërve të mi nuk ishte e mirëpritur. Ka pasur momente që shoqëria ka qenë e tërhequr. Nuk kemi qenë të preferuar, por kuptohet një persekutim shpirtëror moral. Largësia e sime mëje nga njerëzit e saj, i shkaktonte ankth. Priste të ëmën... nëse do ta linin të vinte. Këto përjetime m’i zbehën momentet e fëmijërisë. Pastaj, përballja me vdekjen, kur humba dy gjyshet e mia... Por kujtimet e mira mbretërojnë.-çfarë mund të na thoni për periudhën kur ishit studente? Kam qenë një studente “demode” për kohën e atëhershme, pasi isha në kufijtë e një etike shumë të rreptë. Kam pasur rezultate maksimale, në 50 provime, 49 dhjeta dhe vetëm një 9 në Anatomi Normale. Mësoja përditë. Kjo bëhej pengesë për t’u argëtuar. Megjithatë në shoqëri isha e përfshirë. Më pëlqente të kërceja, të shkoja në kinema, të gatuaja ndonjë recetë, por çdo gjë brenda kufijve. Për një studente si unë, asokohe, ishte në modë epiteti “peshkope”, që nënkuptonte një njeri që vetëm mëson dhe nuk ka kohë për jetë sociale. Në të vërtetë nuk kam pasur jetë të pasur në aspektin emocional. Me siguri e përjashtoni, kur thoni kështu, historinë e njohjes suaj me bashkëshortin?Njohja me bashkëshortin ka qenë e rastësishme, edhe pse familjet tona njiheshin që më parë, kurse ne nuk kishim kontakte. Në një ambient me të njohur të përbashkët krijuam kontakte, që atëherë ai filloi njëfarë interesi. Unë fillimisht i shmangesha, se isha para provimeve. Më dukej sikur nuk kisha kohë për t’iu përkushtuar një lidhjeje. Me këmbënguljen e tij filluam të takoheshim. Takimi i parë “zyrtar” ishte kur ne bëmë mbrëmjen e fundvitit te Liqeni. Aty ishte hera e parë që me shumë skrupuj u shfaqa në çift dhe gjatë gjithë kohës mendoja se si do t’u dukej ai shoqeve, çfarë do të thoshin për mua. Kështu gradualisht vijoi raporti ynë, derisa u fejuam dhe pas 2 vjetësh erdhi martesa. -E lehtë të bënit rolin e zonjës së shtëpisë?Në fakt ishte një periudhë shumë e vështirë pasi prindërit e bashkëshortit ishin të moshuar kishin nevojë për asistencë në familje. Unë linda djalin. Por i kisha ndihmesë, që edhe pse fizikisht ishin të pamundur, pjesë që e mbuluan më së miri prindërit e mi. Prindërit e bashkëshortit gëzonin shumë kur jepja provimet  pasuniversitare apo mbroja titujt. Një nga momentet më të paharrueshme ishte kur kthehesha nga puna uleshin në tryezë dhe vjehrri me profesion po mjek më pyeste përditë, çfarë rasti kishit sot a patët ndonjë problem. E kujtoj si një nga momentet më nostalgjike por edhe si ballafaqimin tim me profesionin me një mjek në familje, që deri pak kohe, kur isha beqare, e kryente babai im. Djalin ma rritën prindërit e mi gjatë specializimeve afatgjata apo më tej dhe më kanë ndihmuar për karrierën time. Më kanë dhënë gjithçka për të arritur në profesion.-Na flisni pak për djalin.Edhe pse jam pediatre dhe kisha parë shpeshherë të vinin në jetë, emocionet kur pret fëmijën tënd janë të papërshkrueshme. Vetëm një femër mund t’i provojë, teksa nxjerr në dritë në jetë të re. Kam lindur në të gdhirë dhe mbaj mend se asokohe seksi nuk shihej, prindërit e mi donin vajzë për të rikujtuar emocionet që i kisha dhuruar unë. Kur më tha gjinekologia se ke djalë, mendova: do t’i vë emrin e babit tim, Vasil. Në të vërtetë, meqë tim atë e thërrisnin Sili ia vura  Silvin. Që në atë moment induktova një lidhje mes gjyshit dhe nipit që është e pakrahasueshme dhe një nga shkaqet që djali vendosi të studionte për mjekësi është jo se kishte mamanë mjeke, por se kishte gjyshin. Madje zgjodhi Akademinë Mjekësore të Sofies, ku më parë kishte studiuar gjyshi. Jam e kënaqur për rezultatet e tij. Ia ka dalë mbanë pa e pasur si mbështetje emrin tonë.-Cilat janë pengjet tuaja?Pengu më i madh është fakti se nuk kam qenë një nënë 24 -orë e përkushtuar, pasi në spital roje, apo specializimet në kohë të gjata jashtë vendit nuk ma lejonin. Më duket se i kam hyrë në hak djalit tim dhe sa herë e kujtoj fëmijërinë e tij, më ngjan sikur arsenali i kujtimeve nga fëmijëria ka boshllëqe.-Po pasionet?Letërsia dhe muzika klasike janë pjesë e pandashme që mi ka induktuar babai. Madje e vogël kur më pyesnin se çfarë je ti për babin unë i thosha “muzikë klasike”. Më pas udhëtimet, turizmi, zbulimi i vendeve të reja dhe nuk e di nëse e ka pasur unë a bashkëshorti, apo ia kemi induktuar njëri-tjetrit, turizmi historik. Më pëlqen edhe roli i amvisës me gatimet. Rinovimet në shtëpi në ngjyra apo modele, për mua janë momente relaksi...-Pak më lart folët për pasionin dhe seriozitetin profesional me të cilët u ushqyet. çfarë ndodh me mjekët apo mjekësinë sot?Kur je përballë pacientit ideja e parë që të vjen është ta shpëtosh apo shërosh pacientin. Ajo çka mendoj është se mjekësia në ditët e sotme është materializuar, nuk është ajo e kohës së mëparshme. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në një zhvillim të caktuar të shoqërisë  është e domosdoshme investimi maksimal në mjekësi. Duhen hequr konceptet se mjekësia është falas, pavarësisht se si do të jenë mekanizmat rregullatorë të këtyre pagesave. Nëse duam të kemi një mjekësi bashkëkohore, atëherë të gjithë duhet të jemi të bindur që investimi duhet të jetë maksimal. (Sigurisht që duhen luftuar dhe jam krejtësisht kundër pagesave informale. Nuk janë ato që rregullojnë gjerat dhe kjo duhet të mirëkuptohet si nga mjekët ashtu dhe nga pacientët.) Kush më i përgatitur kush më pak, të gjithë mjekët kanë të njëjtin qëllim: të shërojnë pacientin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›