E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani / Mbrojtja perfekte, sulmi i varfer

Nga Eni Zejnati

Partizani ka pesë ndeshje rresht që nuk pëson gol. Janë katër ndeshje kampionati dhe ndeshja e kupës kundër Lushnjës, ku Orges Shehi nuk ka parë topin të shkojë në rrjetën e tij. Kjo seri pozitive e mbrojtjes së kuqe ka filluar pas humbjes së turpshme në "Qemal Stafa" me Flamurtarin në shifrat 3-0, kur në mbrojtje rreshtoheshin Grizha në të majtë, Ndreka në qendër dhe Beqiri në të djathtë. MBROJTJA - Pas asaj ndeshje, Hasan Lika ndryshoi treshen e mbrojtjes duke futur që nga minuta e parë 24 vjecarin Fatjon Tafaj në të majtë dhe veteranin 29-vjecar Luan Pinari në të djathtë. Aktivizimi i këtyre dy mbrojtësve si titullarë duket se ka qenë dhe arsyeja kryesore për këtë kthesë të mbrojtjes së kuqe që nuk lejon gol prej 450 minutash. Në këto pesë ndeshjet e fundit në qendër të mbrojtjes janë aktivizuar tre herë Henri Ndreka dhe dy herë Robert Grizha (me Lushnjën dhe Besën). Tani pas 15 javësh, Partizani ka pësuar 11 gola, duke u renditur si mbrojtja e dytë më e mirë pas Teutës së Starovës që ka pesuar vetëm 10 të tillë dhe ka luajtur një ndeshje më pak. SULMI - Sulmi është një histori ndryshe. Nëse mbrojtësit kanë bërë punën e tyre në ndeshjet e fundit, sulmi ka caluar, dhe pa shënuar nuk mund të fitosh. Për të kuptuar mungesën e golave, mjafton t'i hedhësh një sy renditjes së golashënuesve të Partizanit. Pas 15 javësh, në krye të listës është Gjergji Muzaka, një mesfushor i avancuar, vetëm me tre gola. Më pas vijnë dy mesfushorë Bulku dhe Leandro, dhe sulmuesi Abilaliaj me nga 2 gola. Janë shënuar gjithsej 16 gola në këto 15 ndeshje, por shumica e tyre kanë ardhur nga mesfushorët, ku Bulku, Dhembi, Gjyla dhe Babamusta kanë gjetur të gjithë rrugën e golit. Madje dhe në Kupë janë shënuar vetëm 6 gola, shumë pak kur mendon se kundërshtarët kanë qenë Gramozi i Kategorisë së Dytë dhe Lushnja e Kategorisë së Parë. ZERO GOLA - Statistika që bie më shumë në sy është shifra "0" tek golat e Bylykbashit.Prej tij pritet më shumë, edhe pse nuk luan zakonisht si sulmues i parë. Dy vjet më parë ai shënonte 24 gola, por me këtë ritëm kapiteni vështirë se do të kapë edhe shifrën e 7 golave që shënoi vitin e kaluar. Pra, pavarësisht se presidenti Albert Xhani dhe trajneri Hasan Lika e kanë përsëritur se Partizani i ka lojtarët dhe nuk ka nevoje të futet në merkaton e dimrit, është e qartë se të paktën një sulmues duhet afruar patjetër. Abazaj që u la të ikte ne fillim te sezonit dhe Plaku i rritur te Partizani, megjithese nuk kanë shumë eksperiencë, po tregojne se dinë të shënojnë, biles për skuadra me të dobëta se Partizani. Përmend keta emra pasi afrimi i tyre është disi më i lehtë, por emra të tjerë të njohur në Superlige janë gjithashtu të mirëpritur. Është e sigurtë që me sulmin aktual, që në total ka vetëm disa vjet eksperiencë në Superlige, Partizani nuk mund të pretendojë më shumë se Intertoto, madje dhe për këtë do të duhet të luftojë shumë. Statistikat aktuale PARTIZANI Vendi: 4 Ndeshje: 15 Pikë: 24 Fitore: 6 Barazime: 6 Humbje: 3 Gola të shënuar: 16 Gola të pësuar: 11

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›