E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjë nuk ndryshon në fund, Flamurtari larg rrezikut

Skuadra e Flamurtarit ka shmangur dje çdo surprizë të pakëndshme në fundin e këtij kampionati, duke marrë tri pikë shumë të vlefshme përballë Kastriotit. Ka mjaftuar një gol i Memës në minutën e 17-të, që vlonjatët të merrnin tri pikë përballë krutanëve dhe të shkëputeshin përfundimisht nga skuadrat që aktualisht mbajnë fundin e tabelës së klasifikimit dhe marrin pjesë në luftën për mbijetesë. Tashmë ekipit të drejtuar nga Kovaçiç i duhet një fitore për të siguruar matematikisht vendin e tetë në këtë sezon. Ndërsa krutanët, të favorizuar edhe nga rezultatet e kundërshtarëve direktë, vazhdojnë të jenë në kreun e këtij grupi, por kanë ndeshje shumë të vështira në tri javët e fundit përballë Shkumbinit, Elbasanit dhe Tiranës.

Ndërkohë, një tjetër skuadër që ka siguruar edhe matematikisht largimin nga "zona e ftohtë" është Shkumbini, që ka mundur pa vështirësi 3-0 ekipin e Teutës. Golat e Dalipit, Qorrit dhe Norës kanë mbyllur çdo diskutim në këtë sfidë, duke e mbajtur skuadrën peqinase pranë ekipeve të mesit të tabelës, vetëm 6 pikë larg vendit të tretë. Ndonëse Shkumbini nuk pretendon më për asgjë në këtë kampionat, mund të kërkojë një pozicion nderi, pasi në javët e ardhshme luan përballë Flamurtarit, Kastriotit dhe Skënderbeut. Për sa i përket Teutës, ajo vazhdon të ruajë vendin e 9-të në renditje, por ka tri sfida shumë të vështira përballë Elbasanit, Tiranës dhe Besës në javët e fundit të sezonit.

Një ndeshje pa vlera ka qenë ajo e luajtur në Shkodër mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, e mbyllur me suksesin e skuadrës vendase me rezultatin 2-1. Haxhiosmanoviç ka aktivizuar thuajse të gjithë formacionin titullar, pa menduar shumë për finalen e Kupës, por kuqeblutë janë paraqitur shumë dobët në këtë sfidë, pavarësisht rezultatit përfundimtar. Vllaznia ka kaluar në avantazh në minutën e 31-të me Sukajn, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, gjithçka është vënë në diskutim nga goli i barazimit i shënuar nga Thana. Është dashur hyrja në fushë e të riut të talentuar Rraboshta për të shpëtuar shkodranët nga turpi, pasi futbollisti ka shënuar me kokë në minutën e 83-të, duke kaluar në avantazh skuadrën vendase. Korçarët i kanë shkuar shumë pranë surprizës, kur në minutën e fundit shtesë ka qenë Shtupina që ka barazuar përsëri rezultatin, por goli është anuluar për pozicion jashtë loje. Skënderbeu i ka dhënë prej kohësh lamtumirën Superiores, por ka treguar gjatë këtyre javëve se ka një brez futbollistësh cilësorë që pretendojnë për të ardhmen. Ndërkohë, Vllaznia duhet të ndryshojë sa më parë gabimet e bëra, pasi vetëm 4 ditë e ndajnë nga finalja e shumëpritur e Kupës me Tiranën, rruga e vetme që çon në Kupat e Evropës skuadrën shkodrane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›