Partizani: Me Lushnjën, fitoren e parë në shtëpiPartizani ende nuk ka fituar asnjë nga pesë takimet e zhvilluara në Tiranë, ku ka një bilanc negativ: 2 barazime e 3 humbje

Partizani do të luajë në javën e 12-të të Superligës, jo vetëm ndaj skuadrës me të cilën ndan dy vendet e fundit me pikë të barabarta, Lushnjën, por edhe ndaj skuadrës së vetme që ka mundur të fitojë në fazën e parë të Kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, me rezultatin 1-0, falë një kryevepre të realizuar nga goditja e lirë nga Artan Karapici, i cili është dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës (3 gola). Partizani ende nuk ka fituar asnjë nga pesë takimet e zhvilluara në Tiranë, ku ka një bilanc negativ: 2 barazime e 3 humbje.
TRAJNERI DURO
Për trajnerin e dytë sezonal të Partizanit, Shpëtim Duro, dy barazimet rresht me Besën (0-0) në Kavajë dhe Elbasanin (2-2) në kryeqytet, skuadra e ka rigjetur veten dhe fitorja e pritshme me Lushnjën do të thoshte shumë për 15-herë kampionët e Shqipërisë, tashmë jo vetëm në aspektin psikologjik, ku skuadra ndihet plotësisht e çliruar, por dhe në atë pikëve, pavarësisht se edhe me fitoren Partizani sërish do të ishte i 11-ti në renditje, pasi diferenca aktuale me vendin e dhjetë është 4 pikë (Apolonia). “Të fitojmë edhe me një lojë të keqe,- është shprehur Duro për gazetën prestigjioze “Panorama Sport”. “Na duhet patjetër fitorja”
KAPITENI SHEHI
Kapiteni i Partizanit, portieri 31-vjeçar Orges Shehi, në disa raste ka qenë edhe “protagonist” i gabimeve, që i kanë kushtuar jo pak skuadrës së kuqe. Por në lidhje me “derbin e mbijetesës”, durrsaku mendon se skuadra që ai udhëheq në fushë i ka të gjitha mundësitë për ta fituar takimin. “Na iku fitorja nga duart me Elbasanin, - është shprehur Shehi për të përditshmen ‘Sport Ekspres’, - por loja na jep siguri për të ardhmen. Lushnja? Vërtet që jemi në fund me pikë të barabarta me Lushnjën, por nuk mund të konsiderohet kështu. Është një moment i keq për skuadrën tonë, por ndaj lushnjarëve do të luajmë vetëm për fitore”.
E Premte, 21 Nentor 2008