Supersfida, Vllaznia kundërshton gjyqtarin Jemini Një fitore e mundshme e Vllaznisë, do të sillte edhe rokadën e dy ekipeve në renditje, teksa Tirana do të vuajë mungesën e golashënuesit më të mirë të saj, Migen Memelli, ashtu si shkodran

Lorenc Jemini është bilbili që do të gjykojë kryesfidën e javës së 12-të Tirana-Vllaznia (njëherësh edhe java e parë e fazës së dytë), por caktimi i gjyqtarit tiranas, i cili ka gjykuar Vllazninë edhe në javën e nëntë të fazës së parë, është kontestuar nga stafi shkodran. Në takimin e fazës së parë të zhvilluar në “Loro Boriçi”, e që përfundoi 0-0 gjykoi tiranasi Kridens Meta.
NËNTË GJYQTARE TIRANAS
Interesant është një fakti, se në 11 ndeshjet e fazës së parë, vetëm në dy takime të Vllaznisë, gjyqtarët nuk kanë qenë nga Tirana: Mentor Sopiani i kolegjiumit të Durrësit gjykoi në takimin Vllaznia-Apolonia dhe laçiani Sokol Çekaj në Vllaznia-Bylis.
MUNGESA E SINANIT
Vioresin Sinani, tri herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë dhe autori i pesë golave me fanellën kuqeblu për këtë sezon - i dyti pas Paulin Dhembit me gjashtë - do të mungojë në ndeshjen kundër Tiranës. Ish-sulmuesi i bardhebluve, i cili ka pësuar një tërheqje muskulore, nuk e fshehu dëshirën për të luajtur kundër ish-skuadrës së tij.
ROKADË VENDESH?
Vllaznia, pas 11 javësh ndodhet në vendin e dytë me një pikë më pak se Tirana (22). Për Vllaznisnë do të rikthehen Marko Bashiç e Edmond Doçi, teksa është mundësia që dhe Suad Lici të jetë në fushë. Shkodranët janë shprehur se dhe një barazim i kënaq në kryeqytet, por një fitore e mundshme e Vllaznisë, do të sillte edhe rokadën e dy ekipeve në renditje, teksa Tirana do të vuajë mungesën e golashënuesit më të mirë të saj, Migen Memelli, ashtu si shkodranët të Vioresin Sinanit.
E Premte, 21 Nentor 2008